E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, Blushi-Malaj-Islami: Do respektojmë vendimin e grupit

Lëvizja për Mendim Ndryshe anashkalon Ramën dhe i bën thirrje grupit të PS-së të kthehet në Kuvend


"Nëse do na përjashtojnë nga partia, pa thyer asnjë vendim të strukturave, kjo quhet metodë staliniste"

Lëvizja për Mendim Ndryshe, e kostituuar vetëm pak ditë më parë nga një grup deputetësh dhe anëtarësh të Asamblesë Kombëtare të socialistëve, duke marrë shkas nga përfundimet e publikuara nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, i kërkon Partinë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti dhe të kthehet në Kuvend.


Pesë deputetët socialistë, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani, në një dalje të përbashkët për shtyp janë shprehur se konkluzionet e nxjerra nga ky raport nuk justifikojnë qëndrimin bojkotues të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste.


Për pasojë, duke lexuar deklaratën e përbashkët, Blushi, në emër edhe të katër deputetëve të tjerë, duke shmangur këtë radhë lidershipin e PS-së, i ka kërkuar direkt pjesës tjetër të grupit parlamentar që të bëhet i arsyeshëm dhe të pranojë qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë për zgjedhjet.


"I kërkojmë grupit parlamentar të lexojë me qetësi dhe realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjen dhe kërkesën e tyre unike për veprim opozitar në Kuvend.


Të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit, duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare", - shprehen pesë deputetët kritikë të kryetarit të PS-së, Edi Rama, në deklaratën e tyre, duke argumentuar gjithashtu se mospjesëmarrja në Kuvend favorizon qeverinë dhe dëmton vetë socialistët.


Në vijim të kësaj logjike, ata shprehen se sot vendi ka nevojë më shumë se çdo herë të tjetër për opozitë, si mënyra e vetme për të nxjerrë në pah gabimet e kësaj qeverisjeje, por edhe për t'u treguar shqiptarëve alternativën e socialistëve për çdo çështje debati dhe për të hetuar vërtet zgjedhjet e 28 qershorit nëpërmjet Parlamentit.


"Ne kemi dalë për të folur për interes të PS-së dhe të Shqipërisë, sepse Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën në Parlament, e cila mund të ndihmojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe është e vetmja parti sot në opozitë që mund t'u thotë shqiptarëve se çfarë nuk mund të bëjë kjo qeveri.


Dhe nëse ka sot vetëm një faktor politik që ka interes për ketë bojkot, kjo është qeveria, e cila ka moment luksi kur nuk ka opozitë. Ne nuk duhet t'ia kishim garantuar asaj këtë luks", - u shpreh Blushi.


Pavarësisht radikalizimit të qëndrimit të vet kundrejt Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama, krerët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, që janë njëkohësisht dhe deputetë, deklarojnë se do të respektojnë vendimet e forumeve të partisë, megjithëse nuk janë dakord me to.


Por ky duket se do të jetë një qëndrim i përkohshëm, pasi nga ajo që deklaruan pesë deputetët socialistë u la të kuptohej se respektimi i vendimit për bojkot, mbetej një zotim momental dhe jo i përhershëm.


"Në momentin që flasim i mbetemi asaj që kemi thënë, që nuk do thyejmë vendimin e grupit parlamentar për të prishur bojkotin, do respektojmë këtë embargo, pavarësisht se është e dëmshme për PS-në, por do e respektojmë si një vendim shumice për sa kohë që kemi vendosur të jemi në një grup politik", - tha më tej Blushi.


Megjithatë, respektimi i këtij vendimi duket se nuk ka të bëjë shumë me respektimin e institucioneve drejtuese të partisë sesa me frikën se në rast se do të veprohej ndryshe, atëherë do të vetëpërjashtoheshin nga partia.


Kështu, deputeti Kastriot Islami është shprehur se askush nga grupi i deputetëve që është kundër bojkotit nuk do t'i jepte shansin lidershipit të PS-së për t'i përjashtuar ata nga partia. "Fjala vetëpërjashtim nuk ekziston në statut dhe rregullore, nëse duan të bëjnë përjashtime, të marrin etiketën e duhur.


Asnjë nuk është naiv dhe nuk bëhen 5 naivë që të japin kënaqësinë për të vënë në përdorim termin e shpikur, vetëpërjashtim", - tha Islami. Por nëse një masë e tillë do të merrej pa shkak, atëherë Islami nuk nguron ta konsiderojë atë si një veprim stalinist. "Nëse do na përjashtojnë, kjo quhet metodë staliniste", - u shpreh Islami.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›