Tregtari ambulant vret me thikë pronarin e librarisë, arrestohet
LUSHNJE - Debatojnë për vendin e tregtimit, vritet me thikë 60 vjeçari në qendër të qytetit të Lushnjës. Viktima Artan Murati, pronar i një librarie dhe kryetar i PDI-së në këtë rreth, mori tre goditje pas shpine dhe gjeti vdekjen gjatë rrugës për në spital. Pak minuta pas ngjarjes që ndodhi pasditen e djeshme në lagjen "Skënder Libohova", u prangos edhe autori Mustafa Lamaj, 51 vjeç. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Murati dhe Lamaj kanë pasur debate gjatë gjithë këtyre ditëve lidhur me një vend tregtimi të vendosur përballë godinës së bashkisë Lushnje. Debati ka qenë i ashpër edhe ditën e djeshme derisa Lamaj ka nxjerrë një thikë duke e qëlluar pas shpine 60-vjeçarin Murati. Ai u dërgua menjëherë për në spitalin e Lushnjës, por ndërroi jetë pa mbërritur atje. Mësohet se viktima kishte hapur prej shumë vitesh një dyqan, në të cilin tregtonte materiale shkollore, tekste dhe kinkaleri. Në krah të dyqanit të tij ishte vënë një tavolinë, e cila mbahej si tezgë për tregtim ambulant nga autori i vrasjes. Edhe ky i fundit bënte tregti në këtë vend me mjete shkollore, ndaj kishin lindur edhe konfliktet. Pronari i dyqanit e shihte si rival në tregti dhe i kishte kërkuar Lamajt se duhej të largohej që aty, pasi ai i tërhiqte klientët. Këto konflikte kishin ndodhur shpesh mes tyre ndaj autori i ngjarjes ishte shoqëruar disa herë në polici, por më pas ishte lënë i lirë. Tentativat e policisë për të qetësuar situatën kishin rezultuar të kota, pasi tregtari ambulant vijonte të kryente aktivitetin e tij para derës së pronarit të librarisë që paguante të gjitha taksat. Mësohet se pas krimit të kryer, autori ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por policia e Lushnjës ndërhyri në kohë duke bërë të mundur vetëm pak minuta më pas arrestimin e tij. Ndaj 51- vjetarit do të rëndojnë dy akuza, ajo e vrasjes me paramendim dhe mbajtje të armëve të ftohta pa leje. Ai u mor në pyetje nga grupi i hetimit nga ku mësohet se ka pranuar krimin. m.r