E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, të plagosurit nuk pranojnë faljen e Mediut

 fatos mahmutajPadia e një fëmije, banor i Gërdecit, u bë shkak dje për paraqitjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë. Siç ishte njoftuar nga kjo Gjykatë, Mediu, tashmë deputet i Parlamentit Shqiptar dhe Ministër i Mjedisit, në orën 09:00 të mëngjesit të djeshëm kaloi portën e Gjykatës së Lartë, në shoqërinë e dy avokatëve të tij mbrojtës, për të qenë vetë i pranishëm në seancën përgatitore përballë dy prej të mbijetuarve të tragjedisë së "Gërdecit", që e kanë paditur për plagosje të rëndë. E para u zhvillua seanca ku pala paditëse është i mituri Roxhers Durda, përfaqësuar nga i ati i tij në gjykim, ndërsa më pas gjykata pohoi se edhe padia e dytë në ngarkim të Mediut do bashkohej me të parën, për ekonomizëm gjyqësor, duke e ftuar ministrin të paraqitej sërish në gjykatë mëngjesin e 15 shkurtit. Burime nga seancat që u zhvilluan me dyer të mbyllura, thanë se ministri Mediu kërkoi ndjesë politikisht për Gërdecin, duke ofruar në këtë mënyrë kompromisin e tij për të zgjidhur çështjen me pajtim. Avokati i Mediut, Ardian Visha, i kontaktuar pas seancës pohoi se ndjesa e klientit të tij kishte të bënte me faktin se shpërthimi i 14 marsit 2008 në Gërdec ka ndodhur në kohën që Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga ai, çka ishte reflektuar edhe në dorëheqjen e tij nga posti i ministrit. Ndërsa në lidhje me pjesën penale të këtij procesi, në ngarkim të klientit të tij Visha, pohoi se Mediu ishte i pafajshëm dhe përderisa ndihej i tillë nuk i ishte ofruar asnjë kompromis për çështjen e dy të dëmtuarve. Por burime nga seancat e djeshme pohuan se ndjesa e Mediut nuk është pranuar nga pala paditëse, të cilët kanë pretenduar se Mediu është përgjegjësi i tragjedisë së Gërdecit, dhe si i tillë ai duhet të përgjigjej penalisht, në të dyja çështjet që kanë nisur të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë. Madje për më tepër, i ati i 11-vjeçarit Roxhers Durda ka këmbëngulur para gjykatës që Mediut t'i hiqej imuniteti dhe t'i nënshtrohej procedurave të gjykimit. E ndërsa pritej që Kolegji Penal, pesë-anëtarësh të niste shqyr-timin e padisë së Alketa Hazizaj, edhe kjo e plagosur në tragjedinë e Gërdecit, Gjykata e Lartë njoftoi se kishte vendosur që këtë dosje ta bashkonte me atë të Roxhers Durdës, duke argumentuar se në këtë mënyrë përfitohej ekonomi gjyqësore dhe se nuk shpenzohej kohë. "Duke qenë se këto çështje qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë përpara të njëjtës gjykatë, si dhe për faktin se të dyja paditë janë kundër të njëjtit person, Fatmir Mediut, për të njëjtin fakt penal të pretenduar dhe meqenëse për shkaqet e mësipërme nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes së tyre, në respektim të ligjit gjykata vendosi të bashkojë ato", thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë. Duke argumentuar këtë veprim, gjykata njoftoi se seanca tjetër e këtij procesi, pritet të jetë më 15 shkurt, kohë e mjaftueshme kjo që Kolegji Penal të njihte dosjen e re që iu bashkëngjit të parës. Ndërkohë mësohet se Mediu u njoftua sërish që të paraqitej më 15 shkurt për të marrë pjesë në seancën e pajtimit, përballë të dëmtuarës akuzuese Hazizaj. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›