Meta: Gati për tryezë dialogu me opozitën, konsideratë për Topin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta shprehet i gatshëm të marrë pjesë në një tryezë të iniciuar nga Presidenti Bamir Topi, për zgjidhjen e krizës politike në vend. I pyetur mbi këtë çështje ai vlerësoi rolin e kreut të shtetit, duke i quajtur qëndrimet e tij konstruktive. "Ne jemi pro çdo lloj forme të dialogut, absolutisht dhe pa asnjë diskutim që kemi konsideratën më të lartë për Presidentin e Republikës, për pozicionin kushtetues që ai ka dhe për qëndrimet konstruktive që ka mbajtur për të gjitha çështjet", tha Meta. Zv.kryeministri ka dalë në krah të kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, për sa i përket përbërjes së delegacionit shqiptar, që merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai e ka quajtur fëmijërore dhe të papërgjegjshme veprimin e Partisë Socialiste në këtë rast. "është vërtetë për të ardhur keq për këtë përpjekje, do të thosha tepër fëmijërore dhe tërësisht të papërgjegjshme, që po bëjnë disa përfaqësues të Partisë Socialiste për të dëmtuar imazhin e vendit, jo vetëm në Strasburg por kudo, sikur atje ka pasur ndonjë problem serioz, përveç vetë problemit që ka krijuar me qëllim lidershipi i Partisë Socialiste, që ka të bëjë me bojkotin e pakuptueshëm, të cilin e kanë dënuar të gjithë që nga Strazburgu, Brukseli dhe në të gjithë botën", theksoi ministri i Jashtëm. Sipas tij "kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka zbatuar kompetencat e saj. Fakti që u konfirmuan sot në mënyrë krejtësisht normale kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar, tregon qartazi, se çdo gjë po ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës". Duke iu referuar projekt-rezolutës së hartuar nga dy raportuesit për Shqipërinë dhe që do të votohet në seancën e nesërme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kreu i diplomacisë shqiptare tha se maxhoranca nuk mund të detyrojë opozitën për dialog në një kohë që ajo ka zgjedhur një strategji destruktive. "Qeveria i ka bërë të gjitha propozimet dhe është e hapur për çdo propozim që është legjitim, që është i arsyeshëm, që ndihmon për forcimin e demokracisë dhe institucionet demokratike, që rrit garancitë e opozitës në institucione dhe në të gjitha proceset demokratike, por natyrisht duhet që i vetmi lëshim i PS-së, të jetë braktisja e bojkotit si një strategji destruktive për të sjellë me çdo kusht krizë, e cila në fakt, thjesht thellon krizën pa krye ku ka hyrë ky lidership", u shpreh Meta. Sipas zv.kryeministrit "kjo nuk është e mirë as për partinë socialiste, dhe natyrisht që nuk është mirë dhe as për imazhin e vendin. Në çdo moment ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të bisedojmë, të dialogojmë dhe të garantojmë të gjitha hapësirat e nevojshme që i nevojiten opozitës për të kryer funksionet e saj të kontrollit mbi mazhorancën, si në çdo shoqëri demokratike".