Fratini: Shqipëria pa viza në fillim të verës
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini tha dje në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave nga vera e këtij viti. Sipas tij "Shqipëria do të bashkohet me të tjerët shumë shpejt. Ata po bëjnë hapa mjaft të rëndësishme përpara. Italia po e ndihmon Shqipërinë dhe ka qenë një nga mbështetëset e saj më të mira në këtë aspekt. Por ekzistojnë disa kritere që duheshin përmbushur. Tani mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria t'u bashkohet të tjerëve. Mendoj se në fillim të kësaj vere, në bazë të pritshmërive të mija, Shqipëria do të jetë gati të hyjë në regjimin e udhëtimeve pa viza". I pyetur nëse kriza politike do të vështirësojë procesin e integrimit të vendit në BE, kreu i diplomacisë italiane tha se "jam i sigurt se kryeministri Berisha dhe opozita do të bien dakord se është në interesin kombëtar të Shqipërisë që ajo të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Unë shpresoj se të gjitha partitë politike në Shqipëri do ta kuptojnë se është në interesin e përbashkët të vendit, që ai të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Evropian, pra që t'i përgjigjet sa më shpejt pyetësorit. Italia do ta inkurajojë dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo rast".