E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza, plumb në zemër nënës birësuese

 POGRADEC/ GEZIM ASHIMIVajza e adoptuar vret nënën birësuese me një plumb në zemër. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit të Pogradecit. Shpresa Angjo, 65 vjeçe u vra pas një debati të ashpër që kishte pasur me vajzën 28-vjeçare, Anila Angjo. Kjo e fundit e ka pritur policinë brenda në apartamentin e saj që ndodhej në katin e katërt, ndërsa babai i saj i moshuar, Jovan Angjo, ish-ushtarak i ka shpëtuar mrekullisht agresionit të së bijës. Gjithçka ka nisur rreth orës 03:00 kur vajza ishte kthyer në banesë. Ajo njihej si përdoruese e rregullt e alkoolit dhe lëndëve narkotike, ndërsa emri i saj ishte skeduar disa herë në policinë e Pogradecit për vjedhje e deri grabitje makinash. Sipas dëshmisë së të "mbijetuarit" të agresionit, Jovan Angjo, Anila i kishte zgjuar nga gjumi nën terror atë dhe bashkëshorten e tij. "Burri i tezes sime, Jovani, dëshmitar i këtij krimi, na tregoi se Anila i kishte ngritur nga gjumi rreth orës 03.30. Ajo kishte nisur të keqtrajtojë tezen time, Shpresën. Pasi e keqtrajtoi për disa minuta, ajo e ka goditur tezen me një hekur në kurriz, dhe ndërkaq e urdhëronte të ulej dhe të ngrihej në këmbë", u shpreh mbesa e viktimës, Viktori Naço. Mësohet se pas dhunës së përdorur ndaj nënës së saj, kjo e fundit e ka kërcënuar të bijën se kësaj here nuk do ta toleronte më, por do ta denonconte në polici. Pikërisht në këtë moment, kur edhe kishte zbardhur dita, vajza ka marrë pistoletën që e mbante pa leje dhe pa dijeninë e prindërve të saj dhe ka qëlluar me një plumb të vetëm në zemër nënën e saj. "Tezja ime ka mundur vetëm të thotë fjalët e fundit për burrin e saj: Loku më vrau", vijoi rrëfimin e saj për tragjedinë në familjen Angjo, Viktori Naço. Sipas asaj që përshkruan mbesa e viktimës, jeta e dy të moshuarve që e kishin birësuar që në moshën 1-vjeçare këtë vajzë, ka qenë një skëterrë e vërtetë. "I rrihte dhe i kërcënonte vazhdimisht. Kishte arritur deri aty sa t'u thoshte se do t'i vriste të dy dhe më pas do vriste veten. Këta të gjorët ishin ankuar në policinë e Pogradecit disa herë, por kohët e fundit iu vinte turp për shkak edhe të opinionit ta çonin vajzën e tyre sërish në polici. Mendonin vetëm turpin", u shpreh Naço. Sipas saj, 28-vjeçarja ka prejardhje nga Bajram Curri, por është rritur në shtëpinë e fëmijës në Shkodër për shkaqe që nuk dihen. Ajo i njihte edhe prindërit e saj biologjikë. Madje këta të fundit, pas edhe ankesave të prindërve birësues, kishin ardhur disa herë në Pogradec për ta këshilluar vajzën e tyre që të largohej nga shoqëria me precedentë dhe përdorimi i pijes e drogës. Sipas policisë, Anila Angjo është shoqëruar disa herë në komisariat, si e dyshuar për vjedhje makinash apo për shoqërinë e saj me kontingjentë krimi, ndërkohë që njihej si përdoruese e pijeve alkoolike dhe e drogës.  Mësohet se viktima, me profesion rrobaqepëse dhe bashkëshorti i saj nuk kanë mundur të dalin nga banesa për t'i shpëtuar agresionit të së bijës për shkak se ajo u kishte mbyllur derën me çelës. Jovan Angjo nuk ka guxuar madje të njoftojë as policinë, sepse kishte frikën që mund të ekzekutohej edhe vetë. Por ngjarja është sinjalizuar nga banorë të pallatit, pasi kanë dëgjuar krismën. Ata kishin dëgjuar herë pas here debate dhe të qara nga dy të moshuarit për shkak të keqtrajtimeve nga e bija. Duke parandjerë se diçka e rëndë mund të kishte ndodhur, ata i bënë telefonatë bluve."Isha e dehur, më nervozonin për orarin"Policia e Pogradecit e ka gjetur vajzën 28-vjeçare në banesë pas krimit të kryer. E vetëdijshme se herët a vonë ajo do të përballej me akuzën e vrasjes, Anila Angjo nuk ka bërë asnjë tentativë që të largohej nga vendi i ngjarjes. "Kam qenë në gjendje të dehur", është shprehur ajo në polici. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, vajza kontingjent policie ka deponuar më tej se grindjet me prindërit e saj jobiologjikë ishin shkaktuar edhe për faktin se ata shprehnin shpesh ndaj saj pakënaqësinë e tyre kur ajo kthehej vonë në shtëpi. Një gjë e tillë ndodhi kur u krye vrasja, ku zanafilla e debatit ishte pikërisht ardhja e saj në banesë në orën 03:30. "Kërkesat e tyre prej prindërish më nervozonin gjithnjë e më shumë, duke e ditur ndërkaq të dy palët se mes nesh marrëdhëniet ishin shkatërruar", është shprehur gjatë marrjes në pyetje në komisariatit të Pogradecit 28-vjecarja Anila Angjo, duke e pranuar se kishte kryer një vrasje me dashje. Ndërkohë, dëshmitari i krimit pohoi se bashkë me gruan ishte në gjumë kur e reja hyri në banesë, për të kryer më pas krimin ndaj së shoqes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›