Bojkoti, OSBE, asistencë për rifunksionimin e Kuvendit
OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë me përvojën dhe asistencën e saj për rifunksionimin e Parlamentit, i cili po kalon një ngërç politik për shkak të bojkotit të opozitës. Këtë ia bëri dje të ditur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, z. Robert Bosch Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me të cilin vijoi konsultimet që ka nisur me faktorin ndërkombëtar para zhvillimit të tryezës pozitë-opozitë. Zyra e Presidencës informoi se takimi i Presidentit Topi me shefin e Presidencës së OSBE-së, Robert Bosch, është bërë në kuadër të konsultimeve që kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike të së shtunës. Në takim thuhet se Presidenti Topi falënderoi mbështetjen që OSBE ka dhënë në lidhje me tryezën politike si dhe për të gjithë asistencën që ka luajtur në fusha të ndryshme. “Kreu i shtetit shqiptar, pasi e falënderoi ambasadorin Bosch për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti, vlerësoi si shumë të frytshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Nga ana e tij, ambasadori Bosch, - vazhdon njoftimi për shtyp, - shprehu edhe një herë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi, duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare. Takimi vjen pasi Presidenti takoi në fillim të kësaj jave ambasadorin e KE-së, Helmuth Lohan, ambasadorin e SHBA-së, John Withers, ambasadorin e Spanjës, Montobio, si dhe ambasadorin gjerman Boshardt. Para dy ditëve përmes një deklarate për mediat OSBE deklaroi se mirëpret nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politikë të rrumbullakët, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual.
Edhe ambasada amerikane nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë për mediat njoftoi se mbështet Presidentin Topi dhe përshëndet zhvillimin e tryezës politike. Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë, do të zhvillohet të shtunën, më 13 shkurt 2010, në orën 11:00 në selinë e Presidentit.