E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Italia i rikthehen centralit bërthamor

Italia dhe Shqipëria nuk tërhiqen nga vizioni i të dy qeverive për t’iu kthyer energjisë bërthamore. Kryeministri Sali Berisha bëri dje të ditur në Veronë të Italisë se ambicia kryesore e Shqipërisë mbetet kthimi në një superfuqi energjitike rajonale. Sipas tij, kjo do të thotë: “Ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë. Ky është vizioni i qeverisë sime dhe sipërmarrjet italiane do të jenë të mirëpritura të kontribuojnë në këtë vizion”. Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi dje një takim të veçantë me ministrin italian të Ekonomisë, Claudio Scaiola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv edhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dyja vendeve, të sapokrijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji me afat të gjatë. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e projekteve ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energjie, me qendër në Shqipëri, që shton garancitë dhe pavarësinë e furnizimit me energji dhe me gaz.
Kurse ministri italian i Ekonomisë, Claudio Scaiola, vuri në dukje rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. “Italia përfshihet në projektet nukleare, sepse beson në to. Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën Qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po ndodh në të gjitha vendet”, - deklaroi z. Scaiola. Ai njoftoi se janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Sipas tij, Italia është i vetmi vend i G8-s që nuk prodhon energji elektrike nga burimet bërthamore. “Kemi ndërmend ta prodhojmë vetë atë, duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë”, - deklaroi ministri italian. Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, u diskutua gjatë pikërisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Ministri italian i Ekonomisë, Scaiola, shprehu mbështetjen e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve që, sipas tij, është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri - Itali. Qeveria italiane, gjithashtu, mbështet edhe projektet e ardhshme, private e publike, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Z. Scaiola i vuri në dukje Kryeministrit se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë shqiptare, në kushtet e krizës globale. Gjatë qëndrimit në Itali Kryeministri Berisha përshëndeti dje punimet e Forumit për Investimet në Evropën Juglindore (Italy and South Eastern Investment Forum), me pjesëmarrjen e 600 përfaqësuesve të kompanive më të mëdha italiane dhe ministrave të Ekonomisë dhe Tregtisë së vendeve të Evropës Juglindore. Në fjalën e tij, Kryeministri bëri një pasqyrë të potencialeve të Shqipërisë në fusha të ndryshme. Ai ftoi edhe investitorët italianë si dhe ata të rajonit që të investojnë në Shqipëri, duke garantuar mbështetjen e qeverisë me ligje bashkëkohore. Kryeministri Berisha ndodhet në Itali në kuadër të një vizitë zyrtare me ftesë të Kryeministrit të Italisë, zotit Silvio Berlusconi me të cilin ka të fiksuar sot takimin në Pallatin Chigi, takimin me presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Gianfranco Fini në Pallatin Montecitorio si dhe do të pritet në takim në Campidoglio nga kryetari i Bashkisë së Romës, z. Gianni Alemano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›