Bojkoti dhe politika apatride i shkaktojnë Edvinit rrjedhje deputetësh - Shpëtim Idrizi themelon me Dashamir Tahirin PDU-në, një parti që tenton të tubojë komunitetin çam

Deputeti socialist i Vlorës, Shpëtim Idrizi është larguar nga Partia Socialiste, duke e ulur në 64 numrin e deputetëve të kësaj force politike në parlamentin e ri. Kjo pasi ka themeluar një parti të re, atë për Drejtësi dhe Unitet, bashkë me deputetin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dashamir Tahirin. Kjo forcë e re politike do të ketë si pikë orientuese të programit të saj, çështjen kombëtare. Forca më e re politike do të përfaqësohet me 2 vende në parlament. Të pyetur se për kë do të jenë votat e PDU në kuvend, Idrizi dhe Tahiri nuk kanë preferuar të japin një përgjigje të qartë, por kanë lënë të kuptohet se do të mbështesin mazhorancën. Vetë Tahiri pati deklaruar se mandati i tij është i kësaj mazhorance dhe vota e tij në kuvend do të jetë vetëm pro saj. Deri tani Idrizi duke përkrahur vendimin e liderit socialist për të bojkotuar kuvendin, nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat parlamentare. Por pas krijimit të partisë së re që ai do të drejtojë Idrizi ka lënë të kuptohet se do të jetë pjesë e kuvendit në seancën më të afërt të tij. Në konferencën për shtyp që zyrtarizoi këtë parti, duke iu përgjigjur pyetjet se gazetarëve se përse u largua nga Partia Socialiste, deputeti Idrizi ironizoi duke thënë se kjo parti ka çështje të tjera për të zgjidhur.
...