E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit te Mediut

Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, tha se "PS i bën thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxisim me forcë Prokurorinë kerkoje serish heqjen e imunitetit”. 

TIRANË- Partia Socialiste i bëri thirrje Prokurorisë të Përgjithshme të depozitojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu, për çështjen Gerdeci.
Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, tha sot në konferencë për shtyp, se "PS i bën thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxisim me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu”.
Sipas tij, “çdo dështim i ardhshëm apo hezitim për të vepruar nga Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme vlen të konsiderohet si bashkëfajësi për të fshehur drejtësinë”.
Çështja ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, u pushua disa ditë më parë nga Gjykata e Lartë për shkak të imunitetit që ai fitoi pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, duke u zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Mediu ishte një ndër personat e akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim të detyrës" gjatë kohës që drejtonte ministrinë e Mbrojtjes, kur edhe ndodhi ngjarja e Gërdecit më 15 mars të vitit të kaluar, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›