E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat e diplomat e nivelit të dytë, 7055 kuotat e reja

 

zirina llambro

Hapen programet e reja në Ciklin e dytë të studimeve, Diploma të Nivelit të Dytë dhe Master i Nivelit të Parë. Qeveria miratoi dje edhe numrin e kuotave për secilin program. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, krahasuar me një vit më parë, ka një rritje me afro 2500. MASH saktëson se 10% e kuotës së çdo programi studimi të ciklit të dytë është parashikuar për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë vendit. “Kandidatët që do fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në institucionet publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2009-2010, dhe u përkasin shtresave sociale si të verbër, invalidë, të shurdhër, fëmijët e policëve të vrarë e ata romë, si dhe të përndjekurit politikë, do paguajnë kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkaq në të saktësohet se në programet e studimit “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, si dhe për lëndët fizikë e matematikë të gjithë studentët që kanë pasur mesatare mbi 8 në ciklin e parë, nuk do të paguajnë tarifën e shkollimit. ”Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi të ciklit të dytë në një tjetër, i nënshtrohen tarifës së shkollimit  të programit të studimit përkatës”, thuhet në vendim. ”Cikli i dytë si studimeve është me kohë të plotë me plan dhe program të reformuar mbi bazën e bashkëpunimit me universitetet homologe evropiane dhe është i vlerësuar me 120 kredite”, thuhet në vendim. Këto programe mund t’i ndjekin vetëm atë studentë që zotërojnë një diplomë të nivelit të parë. Këshilli i Ministrave gjithashtu po dje ka miratuar vendimin për bursat dhe pagesat e nxënësve e studentëve në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2009-2010. Sipas këtij Vendimi, për herë të parë Këshilli i Ministrave do t’u akordojë bursë të plotë të gjithë nxënësve të zonave të largëta (verilindore dhe juglindore) të vendit, të cilët janë regjistruar dhe do të ndjekin studimet këtë vit shkollor në shkollat profesionale. Gjithashtu do t’u jepen bursa të gjithë nxënësve që janë regjistruar këtë vit në shkollat profesionale në degët prioritare të ekonomisë, konkretisht ndërtim, bujqësi dhe pyje.

programet e reja

I- Programe studimi Master
i Nivelit të Parë, MNP,

1) Në Universitetin “ Ismail Qemali”, Vlorë
a) “Sipërmarrje dhe Turizëm”,
b) “Administrim Publik”
2) Në universitetin e Tiranës
a) “Redaktori
b) “Gjeomorfologji”,
c) “Arkivistikë”,
3) Në Universitetin “ Luigj Gurakuqi”, Shkodër
a) “Përkthim dhe Interpretim në Gjuhë Gjermane”,.

II- Programe studimi të ciklit të dytë, DND,

1) Në universitetin “Eqerem Cabej”, Gjirokastër,  “Arkeologji dhe Administrim i Pasurive Arkeologjike”
2)   Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës
a) “Menaxhim” me profilet: Menaxhim biznesi dhe Marketing
b) “Politika dhe Administrim” me profilet: Administrim Publik dhe Administrim Financiar 
c) “Ekonomi - Biznes” me profilet: Ekonomi Biznesi dhe Financë – Bankë.

Gjithsej   7055 kuota pranimi

Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND). 2640 kuota
b. Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit Master i Nivelit të parë (MNP) 4145 kuota
c. Kuota për programe të dyta studimi 100 kuota
d. Kuota për transferimin e studimeve 100 kuota
e. Kuota për të huajt 50 kuota
f. Kuota për të verbrit (të veçanta) 20 kuota

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›