E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Keqardhje për tërheqjen e Malajt, nuk shoh grupe në PS

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist në një bashkëbisedim me gazetarët u shpreh se kongresi ia la në dorë grupit parlamentar dhe kryesisë të vendosë për bojkotin e Kuvendit. Sipas tij, mandati i kryetarit të ri të PS-së do të jetë katërvjeçar dhe jo vazhdim i mandatit të ndërprerë. Ai shprehu habi për tërheqjen e Arben Malajt nga gara, por dhe keqardhje për një veprim të tillë. 
PS me çeljen e sesionit do hyjë në Kuvend apo do presë vendimin e forumeve?
Kjo është një çështje të cilën, Kongresi, i cili e ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve si të papranueshëm, e ka përcaktuar parlamentin si një institucion me një legjitimitet të cunguar rëndë dhe duke i dhënë miratim rezolutës së Asamblesë, ka përcaktuar njëkohësisht edhe një qëndrim politik refuzues ndaj procesit zgjedhor dhe refuzues ndaj institucioneve që prodhon ky proces, e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me parlamentin dhe momentin kur PS duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në Parlament.
Nuk ka një vendim për të mos hyrë në Kuvend?
Edhe një herë qëndrimi i Kongresit ndaj zgjedhjeve është i qartë dhe i prerë. I tillë është edhe qëndrimi ndaj Parlamentit dhe ndaj qeverisë, që do të thotë se PS nuk mund të ketë një marrëdhënie normaliteti me parlamentin dhe se për natyrën e kësaj marrëdhënieje dhe njëkohësisht për të gjithë procesin e trajtimit të kësaj marrëdhënieje do të vendosin ato institucione që Kongresi ka mandatar.
Z. Rama edhe në Rezolutën e Asamblesë është një pikë për mos hyrje të PS në Parlament, d.m.th a do jetë në 7 shtator PS në Kuvend?
Jo, nuk është thënë në asnjë mënyrë të tillë kjo që ju thoni në Rezolutën e Asamblesë. Përkundrazi, është përcaktuar qartësisht një qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që vendimmarrja e PS për marrëdhëniet me këtë parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar, është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm.
Do i mbeteni zgjedhjeve të parakohshme?
Pa asnjë dyshim që duke mos i njohur këto zgjedhje në kuptimin politik, ne e konsiderojmë të domosdoshme që sovraniteti i popullit dhe sovraniteti i institucioneve që burojnë nga zgjedhja e lirë dhe e ndershme e tyre duhet të rivendosen me zgjedhje të reja dhe të parakohshme.
Te gara për kreun e partisë, Malaj ka thënë se nuk do jetë më pjesë e garës dhe për mandatin?
Së pari, nuk kam dijeni për tërheqje të z. Malaj, por do më vinte shumë keq nëse kjo është e vërtetë. Në këtë moment nuk mund të bëj asnjë koment, pasi nuk jam në dijeni të kësaj tërheqjeje. Besoj që ky proces ku ne hyjmë është një proces i rëndësishëm për PS. Është një proces i rëndësishëm për të diskutuar dhe shkëmbyer  me anëtarësinë e PS të gjitha shqetësimet për këtë situatë dramatike ku ndodhet vendi dhe njëkohësisht për të konverguar së bashku falë mundësisë që secili të shprehet në të gjithë larminë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve lidhur me këtë situatë.
Mandati i kryetarit të ri do të jetë 2-vjeçar apo 4-vjeçar?
Këto janë zgjedhje të reja në PS dhe mandati i kryetarit të PS është 4-vjeçar.
Do të bashkëpunoni me grupin kundërshtar të deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë?
Unë nuk shoh grupe dhe nuk identifikoj grupe në PS, por shoh njerëz dhe kolegë që kanë pikëpamjet e tyre, të cilat janë pikëpamjet e tyre. Padyshim PS ka nevojë për të gjithë dhe ka nevojë për kontributet e të gjithëve, sigurisht brenda një sistemi të gjithëpranuar dhe të bashkëpranuar rregullash e prioritetesh.
Në falënderimin tuaj ishin dhe 5 ish-pjesëtarët e LSI?
Duke e ditur në emër të kujt flisni, kuptoj dhe pse nuk e keni kuptuar edhe atë që unë kam thënë apo bëni sikur nuk e keni kuptuar, sepse unë nuk i kam falënderuar përfaqësuesit e LSI së opozitarëve, por i kam cituar në një kontekst krejt tjetër, duke bërë të qartë se është koha për të hapur një kapitull bashkëpunimi dhe bashkimi me LSI. Por me LSI e opozitarëve, jo me LSI e tahmaqarëve. Me LSI të Pëllumb Xhufit, Sabit Brojkës, Ndre Legisit etj., jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës. Kjo ka qenë ajo që unë thashë, kjo është ajo të cilës unë i besoj dhe kjo është ajo të cilës unë i qëndroj, dhe për të cilën unë do të punoj intensivisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›