Bojkoti i PS, çfarë parasheh Kushtetuta?
Sipas Kushtetutës, deri më 7 mars (që shënon dhe mbarimin e mandatit të deputetit, i paushtruar prej 6 muajsh), Kuvendit i lind e drejta t'i kërkojë KQZ-së shpalljen e pavlefshme të 64 mandateve të deputetëve të PS-së dhe të nisë procedurat për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listë.Zëvendësimi i deputetëve socialistë nga KQZ, në rast se ata nuk hyjnë në Kuvend deri në fillim të muajit mars, bëhet nga ky komision me një shumicë të thjeshtë votash (4 vota). Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi të enjten se me ardhjen e kërkesës nga Kuvendi, vendimi për zëvendësimin e tyre merret me shumicë të thjeshtë votash nga ky institucion."Në nenin 24 të Kodit Zgjedhor, ku kërkohet që vendimet të merren me shumicë të cilësuar, pra pesë vota, nuk përfshihet vendimmarrja për zëvendësimin e mandateve të deputetëve", sqaron kryetari Ristani, duke bërë të ditur se vendimi në të tilla raste merret me shumicë të thjeshtë votash. Prej gati pesë muajsh, 64 deputetët e Partisë Socialiste të opozitës vijojnë të bojkotojnë parlamentin e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit dhe të konstituar në 7 shtator, duke këmbëngulur në hetimin dhe transparencën e këtij procesi përmes hapjes së kutive të votimit.