“Oketa në Irak për të zyrtarizuar tërheqjen e trupave”
Shqipëria tërheq trupat paqeruajtëse nga Iraku
TIRANE - Shqipëria ka vendosur të tërheqë trupat e saj nga Iraku. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Këta të fundit thanë se, është marrë vendimi dhe Shqipëria do të tërheqë trupat e saj zyrtarisht ditën e shtunë në orën 00:00, në mburojën e trupave aleate të vendosura në Irak, pjesë e të cilave ishin dhe togat e ushtrisë shqiptare.
Lajmi, më herë është bërë i ditur dje dhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”.
Sipas saj, paqeruajtësit e vendeve të Evropës Lindore që janë aktivizuar në Irak, e kanë përfunduar misionin e tyre në këtë vend.
Ndërkaq bëhet e ditur se në Irak ndodhet dhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili ka shkuar atje për të zyrtarizuar tërheqjen e trupave me një ceremoni lamtumire.
Vizita e Ministrit të Mbrojtjes është mbajtur sekret shtetëror në Tiranë, për arsye sigurie. Zoti Oketa së bashku me ushtarakët do të kthehet në Shqipëri ditën e shtunë. Mësohet se dhe flamuri shqiptar është ulur dhe se, togat e ushtarëve po përgatiten për udhëtimin drejt vendlindjes.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, edhe vendet e tjera të lindjes, janë bërë gati për të tërhequr trupat e inkuadruara në qytete të ndryshme të Irakut.
Trupat shqiptare, një kontingjent prej 218 ushtarakësh, ndodhen në Bagdad dhe Mosul. Misioni i Shqipërisë me trupa paqeruajtëse në Irak ka nisur 5 vjet më parë. Gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar ndonjë incident serioz dhe nuk ka pasur asnjë viktimë nga radhët e ushtarakëve shqiptarë.
Përfundimi i misionit paqeruajtës të Shqipërisë në Irak nuk shihet si ndryshim i qëndrimit ndaj pozicionit të deritanishëm. Përkundrazi, zyrtarët në Tiranë nuk e kanë vënë ndonjëherë në dyshim qëndrimin në përputhje dhe bashkëpunim të plotë me aleatët amerikanë. SHBA shihen në Shqipëri si mbështetësit kryesorë të afrimit të vendit drejt NATO-s.