Bojkoti lë PS pa drejtues grupi
Aristir LumeziBojkoti i parlamentit lë pezull zgjedhjen e drejtuesve të grupit te deputetët socialistë. Deputetët socialistë, të cilët janë mandatuar nga KQZ pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por që nuk kanë bërë ende betimin në parlament, ende mbeten të pa zyrtarizuar si grup parlamentar. Kjo pasi ata më parë duhet të kishin bërë betimin, që në seancën e parë të kuvendit. Por agjenda e bojkotit dhe fushata për zgjedhjen e kryetarit socialist, kanë lënë në hije zhvillimin e zgjedhjeve të drejtuesve të grupit të deputetëve, ndarjen e deputetëve në komisionet parlamentare dhe drejtuesve të tyre aty ku këtë post e ka opozita. Zëra nga deputetët socialistë pohojnë nevojën e zhvillimit të zgjedhjes së drejtuesve të grupit, në mënyrë që ata të paktën brenda partisë por dhe në ballafaqim me parlamentin të sillen si grup parlamentar. Sipas të njëjtave zëra, mos konstituimi i grupit socialist dhe mos zgjedhja e drejtuesve të tij, i trajton deputetët socialistët më shumë si individë se pjesë të një grupi parlamentar. Ndër emrat më të përfolur në selinë rozë për kreun e deputetëve socialistë është Pandeli Majko, i cili konsiderohet sa i ri por dhe i vjetër në gjirin e socialistëve. Nuk përjashtohet dhe rizgjedhja e Valentina Leskajt në krye të deputetëve socialistë, e cila aktualisht po kryen funksionin e kryetares së deputetëve. Në takime të ndryshe dhe konferenca me karakter politik dhe me ndërkombëtarët, Leskaj ka qenë e ftuar si përfaqësuesja e deputetëve socialistë. Por nuk përjashtohet dhe rikthimi i Gramoz Ruçit në krye të deputetëve socialistë, i cili aktualisht mban dhe postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, duke bashkuar tek një njeri funksionimin e partisë, përmes forumit më të lartë vendimmarrës, me atë të grupit të deputetëve. Nëse kjo do të realizohet, Ruçi rikthehet në PS me të njëjtat funksione që gëzonte para ardhjes së Ramës në krye të PS-së, në tetor 2005, kur mbante dhe postin e sekretarit të Përgjithshëm dhe atë të kreut të grupit të deputetëve, siç sanksionoheshin në statutin e atëhershëm të PS-së. Por zgjedhja e drejtuesve të grupit parlamentar do t’i hapë rrugë dhe përcaktimit të kryetarëve të komisioneve parlamentare të Integrimit dhe Arsimit dhe nënkryetarëve dhe anëtarëve në komisionet e tjera. Por socialistët mbeten të pa përfaqësuar për shkak të bojkotit edhe në Këshillin e Evropës. Mosbërja e betimit dhe mosmarrja e të drejtës së ushtrimit të mandatit nga deputetët socialistë, kanë bërë që në Delegacionin e Përhershëm të Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës të mungojnë dy deputetë socialistë. Kjo nuk ka kaluar pa rënë në sy dhe në KE të cilët dhe në projektrezolutën e tyre kërkohej hyrja e PS në kuvend.