E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: KQZ asnjë ngërç nga zëvendësimi i mandateve

 BLEDAR HOTIIsh-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume shprehet se mandatet e deputetëve zëvendësohen me një shumicë të thjeshtë dhe jo të cilësuar. Në një prononcim për Tv Klan, Kume deklaron se zëvendësimi i mandateve për deputetët e PS-së, pas datës 6 mars, realizohet vetëm me shumicë të thjeshtë siç e parashikon neni 164 i Kodit Zgjedhor. “Mund të realizohet një gjë e tillë duke iu referuar nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Realizim, i cili bëhet me një vendimmarrje me shumicë të thjeshtë, me katër vota të anëtarëve të KQZ-së. Ligjvënësi e ka vendosur që të realizohet kjo procedurë zëvendësimi jo me votim me shumicë të cilësuar, siç është parashikuar në nenin 24 të Kodit Zgjedhor”, deklaron Kume. Sipas tij, çdo gjë është e qartësuar në ligjin zgjedhor dhe nuk lë shteg për diskutime për mënyrën e zbatimit të kësaj dispozite ligjore. “Referuar nenit 24 të Kodit Zgjedhor dhe detyrimit të KQZ-së për të plotësuar vakancat në zbatimin e të kërkesave të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, nuk ka asnjë hapësirë ligjore për të tillë ngërç institucional, në kuptimin që KQZ-ja të mos marrë atë vendim. KQZ vendimin për të qenë ‘x apo y’ nga lista e miratuar nga KQZ, përpara se të fillojë procesi zgjedhor, nuk ka nevojë më shumë se sa kaq pas kërkesa të përcaktuara në Kodin Zgjedhor”, thekson Kume. Për vetë atë, procedurat ligjore që ngarkojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve ngrijnë menjëherë, pasi këta të fundit refuzojnë të jenë pjesë e punimeve të Kuvendit për mëse 6 muaj. Kume thekson se pas mbarimit të këtyre mandateve, pra pas 6 marsit, KQZ-ja në rast së mos prezencës së deputetëve do të jetë e detyruar të ndërmarrë një vendim të tillë, duke nisur procedurën e parashikuar në ligj. Dy ditë më parë, kreu aktual i KQZ-së, Arben Ristani kishte deklaruar se vendimmarrja për zëvendësim të mandatit të deputetëve nuk ka nevojë të përdoret një shumicë e cilësuar, pasi neni 164 që vepron për vakancën nuk parashikon ndërmarrjen e një procedure të parashikuar në nenin 24 të Kodit Zgjedhor. “Tek vendimet që duan pesë vota, nuk përfshihet vendimmarrja në rastin e nenit 164. Kur përcakton nenet 162, 163, 166 atëherë kërkon një shumicë të cilësuar votash, me pesë vota. Për shkak se vendimi që mundet të marrë KQZ-ja në këtë rast është një veprim administrativ fare i thjeshtë. Pra vendimmarrja që PS-së i takojnë 15 deputetë për Tiranën është e mbyllur. është e dhënë një herë e përgjithmonë, asgjë nuk ndryshon, ato janë mandate të kësaj partie. Lista shumë emërore nuk ndryshon më, është e miratuar, ne thjesht përcaktojmë se kush është i 16-i në listë, për shkak se lista është depozituar në KQZ. Duke qenë kështu, legjislatori nuk e ka futur këtë lloj vendimmarrje në atë me votë të cilësuar. Ka thënë vetëm në rastin kur shpërndahen mandatet për zonën zgjedhore”, tha Ristani. Sipas tij është pikërisht për faktin se kjo listë është depozituar dhe miratuar nga KQZ-ja, që Kuvendi njofton vakancën në KQZ dhe është ai që jep pastaj emrin që vjen në listë në rastin konkrete. Kjo është procedura që ndiqet për Ristanin dhe se nuk lind nevoja për votim me shumicë të cilësuar.  Në të njëjtën kohë kryekomisioneri ka dhënë mendimin e tij si jurist dhe me faktin nëse kjo procedurë e tillë mund të pengohet në rast të një ankesa të PS-së apo nga individët në Gjykatën Kushtetuese. “Nuk mund të ketë ankimim më duket mua, nga mënyra se si e konceptoj dhe e shikoj unë qoftë Kushtetutën, qoftë ligjin. Në rast se do të ketë një kërkesë për të interpretuar Kushtetutën në Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimi i saj absolutisht nuk mund të pezullojë veprimtarinë e KQZ-së”, theksoi Ristani. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një letër drejtuar deputetëve të PS-së të pabetuar, u kërkon që brenda datës 4 mars të paraqiten në seancë parlamentare, pasi në kundërt do t’i digjet mandati i fituar nga vendimi i 1 gushtit dhënë nga KQZ-ja. Neni 71 i Kushtetutës përcakton se mandati i deputetit digjet në rastet kur mungon për 6 muaj pa arsye dhe kur nuk bën betimin në Kuvend.Neni 24Vendimmarrja e cilësuar në KQZ1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi; b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore; c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›