E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë drejt Italisë, 2 në pranga

 DURRES/ OERD ULQINIDrogë me "Fiat" Punto drejt Italisë. Tre persona ranë në prangat e policisë së Durrësit, pas zbulimit të lëndës narkotike, në tentativë për ta çuar në shtetin fqinj. Operacioni "Emigranti" bllokoi këtë tentativë për trafikimin e 14 kg kanabis, të cilat ishin fshehur në dyert e autoveturës të regjistruar në Udine, me targën BG 820 XV. Dy persona, Flamur Xeka 32 vjeç dhe Shkëlqim Xaka, 27 vjeç, banorë të Mamurrasit, por rezidentë prej kohësh në Italinë e veriut u kapën në kushtet e flagrancës nga policia e kufirit. Mësohet se në timonin e makinës gjendej Flamur Xeka, ndërsa Xaka ishte i ulur në sediljen e pasagjerit. Një person i tretë i konsideruar nga hetuesit si bashkëpunëtor i tyre është arrestuar në shtëpinë e tij në Mamurras, afro tre orë më vonë. Gjatë kontrollit policor, në banesën e shtetasit Ernest Alia, 38 vjeç, policia ka gjetur një sasi prej 9.35 kg drogë të tipit kanabis si dhe dy armë automatike model 56 dhe 54, një sasi municioni prej 1065 fishekësh të kalibrave të ndryshëm si dhe dy presa për presim të lëndës narkotike. Dyshimet e para të policisë lindën nga reagimi tepër i fortë i dy qenve antidrogë, të cilët gjendeshin mes kabinës së kontrollit të pasaportave dhe tragetit të linjës Durrës-Bari. Nisur nga kjo rrethanë policia kufitare, i bllokoi imbarkimin në traget dy shtetasve dhe autoveturës së tyre, kur ata gjendeshin vetëm 20 metra larg tragetit. Rreth orës 23 e 45 minuta, makina iu nënshtrua një kontrolli të detajuar, i cili zbuloi në fshehura në të 14 kilogram kanabis. Asnjë prej të arrestuarve nuk kishte pasur në të shkuarën precedentë penalë, ndaj në pamje të parë ata persona ishin jashtë çdo dyshimi si për policinë shqiptare ashtu edhe për atë italiane. Dy emigrantët ishin me dokumente të rregullta në Itali, por tashmë atyre iu duhet të përballen me drejtësinë shqiptare për trafik droge. Hetimet e kryera çuan në identifikimin e personit të tretë, i cili akuzohet për bashkëpunim në këtë trafik. Për ngjarjen policia e Durrësit është duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Prokurorinë. Nuk është bërë e ditur origjina e lëndës narkotike, por hetimet po vazhdojnë, ashtu si dhe për praninë e dy armëve në banesën e Aliajt.Operacioni i koduar "Emigranti" është i treti në tetë ditë i ndërmarrë nga policia e Durrësit, që sekuestron drogë. Por ndryshe nga dy të parët "Emigranti" angazhoi në terren një numër më të lartë policësh nga Drejtoria e Durrësit, komisariati i Portit dhe ai i Kurbinit që mbulon Mamurrasin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›