Tërmeti, qeveria shton 16 milionë lekë për dëmet
BULQIZE - Pasojat e tërmetit shkatërrues të 6 shtatorit të vitit të kaluar në Qarkun e Dibrës, ende vazhdojnë të ndihen si në ditën e parë të rënies së tij. Por edhe pas gati 6 muajsh nga rënia e këtij tërmeti, banorët e komunave të prekura Gjoricë, Zerqan, Ostren, Shupenzë, vazhdojnë të ankohen për diferencime në dëmshpërblimin e tyre. Janë disa familje në çdonjërën nga këto njësi vendore, që ankohen se nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e shkaktuara, ndërsa të tjera që nuk janë përfshirë në listat e dëmshpërblimit. Pas ankesave të shumta që kanë bërë, qeveria ka miratuar këtë javë një fond shtesë për të dëmtuarit e tërmetit në qarkun e Dibrës. Me propozim të ministrit të Brendshëm u bë ndryshimi në vendimin e mëparshëm për dëmshpërblimin, duke shtuar rreth 16 milionë lekë që do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministrat miratuan vlerën shtesë të dëmeve të shkaktuara në objekte, pronë private, si rrjedhojë e rënies së tërmetit në Qarkun e Dibrës, në shumën 16202636 lekë, si rezultat i procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit. Bashkë me këtë shtesë është miratuar edhe tabela që përcakton personat që përfitojnë dhe shumat përkatëse. Në këto familje mësohet se do të përfshihen një pjesë që nuk ishin vlerësuar më parë si dhe disa që kanë shfaqur ankesa për shumën e akorduar. Prej muajsh banorët e zonave të prekura nga tërmeti ankohen se dëmet e shkaktuara nuk janë vlerësuar si duhet. Ka dhjetëra familje që sërish kërkojnë rivlerësim të dëmeve, pasi janë shprehur se shtëpitë e shkatërruara nuk mund të rindërtohen me paratë e dhëna nga shteti. h.p