E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti ndaj euro 2012

Presidenti i Komisionit europian, Hoze Manuel Barroso nuk do të udhëtojë drejt Ukrainës gjatë zhvillimit të fazës finale të Kampionatit Europian të futbollit. Shkak për këtë vendim, i cili është bërë publik nga zëdhëndësi i shefit të ekzekutivit europian, është çështja që lidhet me dhunën e ushtruar në burg ndaj ish-kryeministres ukrainase, Iulia Timoshenko. Gjendja shëndetësore e Timoshenkos është përkeqësuar dhe autoritetet në Kiev duhet ti përmbahen rekomandimeve të Gjykatës europiane për të drejtat e njeriut, që ka kërkuar “përkujdesje të specializuar mjekësore dhe multi-disiplinore” për ish-kryeministren. 
Megjithatë, çështja është komplikuar edhe më shumë, me Perëndimin, ku Bashkimi Europian është në krye, që shprehet i shqetësuar me pasivitetin e autoriteteve ukrainase rreth kërkesave për të siguruar kujdesin e duhur mjekësor dhe mundësinë për transferimin e Timoshenkos në një klinikë të specializuar gjermane. E gjithë kjo situatë ka shkaktuar ngadalësimin e procesit të integrimit europian të Ukrainës dhe tashmë hijet shtrihen deri në Euro 2012, që do të zhvillohet nga qershori në Ukrainë dhe Poloni.
Qëndrimi i presidentit të Komisionit europian, Hoze Manuel Barroso për të mos udhëtuar drejt Ukrainës për aktivitetin më të rëndësishëm kontinental ka ardhur menjëherë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri të ditur se është e gatshme të fshijë nga axhenda vizitën në Ukrainë gjatë Euro 2012 nëse ish-kryeministrja Timoshenko nuk do të lirohet. Ndërkohë, edhe zv.presidentja e Komisionit dhe përgjegjëse europiane për drejtësinë, Vivian Reding i ka dërguar një letër presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, ku e njoftonte për refuzimin e ftesës për të marrë pjesë në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian të futbollit më 8 qershor në Poloni, prej shqetësimeve që lidhen pikërisht me gjendjen e Iulia Timoshenkos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›