E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti parlamentar si strategji “partizane”

Ndriçim Kulla 

Do të vijë padyshim dita, edhe pse kishim menduar se tashmë ishin pjekur kohët dhe situatat e mbërritjes së saj, kur një parti a koalicion, pasi të fitojë zgjedhjet, të gjejë përballë vetes një opozitë normale, që të kontestonte edhe fortësisht politikën qeverisëse, të dilte nëpër mitingje, të fillonte pa humbur asnjë grimë kohe betejën e vet në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme, veçse me mjetet parlamentare, e jo ta quante atë të paligjshme, me legjitimitet të cunguar apo fryt i një “maskarade” të stërmadhe. Tek e fundit legaliteti i qeverisë apo koalicionit që pritet të drejtojë Shqipërinë qëndron, po ashtu edhe legjitimiteti i funksionimit është dhënë deri dhe nga Presidenti, kemi të bëjmë vetëm me të ashtuquajturin “legjitimitet moral”, që kurrsesi nuk mund të çohet deri në kufijtë shumë të brishtë të ndarjes nga një veprim legal me një sjellje iliberale dhe autoritare. Një pjesë apo shumica e opozitarëve të sotëm, siç po shihet, mund ta vazhdojnë edhe më tej “betejën” e bojkotit të Parlamentit, duke kaluar nëpër shtigjet e një “lufte” të parregullt (pasi një “luftë” e rregullt do të quhej ajo e zhvilluar në Parlament), që refuzon të veshë uniformën e “luftës” dhe të bëhet vullnetarisht “luftë partizane”; mirëpo dalëngadalë, kjo strategji e “luftës së vogël ilegale”, me kushte për ndalimin e bojkotit, që sikur duan të nënkuptojnë diçka tjetër nga ajo që kërkojnë, me hyrje e dalje nga Parlamenti në varësi të plotësimit të të gjitha kushteve të propozuara nga kushedi ç’lloj komiteti, që për çdo kusht të vënë sikur dëshiron një shpërblim për të marrë, që padyshim mund të jetë një komision hetimor për zgjedhjet, por fare mirë edhe diçka krejt tjetër, që veçse analet e politikës mund ta dinë; pra në thelb, një “luftë guerrilase” me Parlamentin do të fillojë t’i humbasë rrugës ithtarët.
E pikërisht në atë ditë, ndoshta Shqipëria do të arrijë të strukturojë një metodë të bashkëjetesës së saj të rregullt  politike, të parashikueshme, një racionalitet jo të sunduar vazhdimisht nga pasionet e ekzagjeruara. Një fazë historike, që e shpresojmë me aq ngulm, do të përfundojë, e filluar që me anomalitë e kuptueshme demokratike të fillimit të viteve ‘90-të, por që me kalimin e kohës e rënduan dhe e vunë në qendër të politikës: faktorin e pranimit të legjitimitetit të një qeverie të dalë legalisht nga zgjedhjet. Ja, një fazë të tillë historike pritej të hapej me një politikë të re, apo nga një vizion i ri për politikën. Ja cila është pesha e madhe e vendimit të këtij bojkoti: pikërisht largimi nga anomalia jonë historike e demokracisë, qasja e drejtë e politikës përballë dilemës legalitet-legjitimitet. E kjo për faktin se caku ndarës nuk është aspak midis së majtës dhe së djathtës, as midis demokratëve dhe jo demokratëve, por midis demokracisë liberale dhe ekstremizmit demokratik: për të parën çështje qendrore është mënyra se si ushtrohen pushtetet për të shmangur abuzimet, ndërsa për ekstremizmin demokratik gjëja më thelbësore është se kush i ushtron ato. Në këtë prizëm, një pjesë e ashtuquajtur e re e politikës sonë, nuk shfaqet aspak e strukturuar dhe e pasuruar me mjete për të përballuar dhe zgjidhur dilemën legalitet-legjitimitet, e për ta bërë të tyren atë që pat shtruar Bobbio që më 1984: “Shteti liberal është parakushti dhe premisa jo vetëm historike, por edhe juridike e shtetit demokratik”. Pikërisht për këtë arsye, e jo për pedantizëm e shije për teori, që lipset ta thellojnë e ta mendojmë më mirë dilemën legalitet-legjitimitet. E kjo, sepse Shqipëria ka aq shumë nevojë për një vijueshmëri që të arrijë t’i japë më në fund shtetit atë lloj autoriteti që ende nuk e ka. Është për t’u përmendur këtu një konstatim largpamës dhe i mprehtë i Hannah Arendt; “Sfida e vërtetë, në politikë, shkruan ajo, është të mësosh të mendosh në limite”. Ndoshta këtë duhet të kishin filluar ta mësonin opozitat shqiptare të gjithë këtyre viteve, e besuam se një bojkot parlamentar pas rreth 20 vitesh demokraci, do të qe jo vetëm jo produktiv, por edhe diçka e vjetruar. Përkundrazi, ja tek na shfaqet me gjithë fuqinë e vet. Ndoshta, pse është gjëja më e vështirë të mësosh limitet e të themelosh mbi to politikën, madje dhe vetë ekzistencën tënde. Që ta bësh këtë, në fillim duhet të zbulosh se për gjithçka ka një limit; edhe përgjegjshmëria jonë. Ta tejkalosh atë do të thotë të rrëzohesh në humnerën e marrëzisë së madhështisë. Më pas, të nevojiten përbërës jo të thjeshtë për t’u gjetur brenda vetes dhe botës përreth (në këtë rast në jetën partiake dhe në eksperiencën politike shqiptare, që për të qenë të vërtetë, ka pasur edhe shembuj për t’u lëvduar të kalimit të qetë e pa probleme të pushtetit, pavarësisht se problemet zgjedhore edhe atëherë nuk mungonin): një shikim të distancuar ndaj vetvetes, një shikim të njëllojtë me atë që na sheh ftohtësisht nga jashtë. Na lipset kësisoj një ironi, si ajo që pyet me një pamje të shtirur besimi sipas mënyrës së Sokratit. Na duhet një distancim që të të mbrojë nga marrëzia e madhështisë; një distancim jo të atij që braktis betejën, por të atij që e vazhdon atë me buzëqeshjen e akrobatit të Rilkes, buzëqeshjen që pas çdo pauze shquan përgatitjen e një hopi akoma dhe më të madh, se sa ai që mendon të ndërmarrë në këtë çast. Ja, një distancim të tillë duket që politikanët tanë të opozitës dhe vendimmarrësit e bojkotit duket që s’e kanë kuptuar e s’e kanë kryer kurrë deri tani; E kjo sepse ky distancim nga vetvetja, skepticizmi ndaj madhështisë së saj, kapaciteti i dëgjimit i gjeneruar pikërisht nga shfaqja e zgripit të humnerës apo cakut të fillimit të një drame që s’i dihet fundi, pra nga shfaqja e limiteve, të bën të kuptosh qoftë edhe pa ndonjë siguri për të ardhmen, pa idenë e një qendre unike rreth unit tënd, se qendra mund të jetë kudo, se nevojitet dyshim edhe mbi siguritë e tua më absolute dhe se sinqeriteti ndaj votuesve të tu dhe gjithë publikut të votuesve, nuk është pikë fillimi, por mbërritjeje. Po a mos vallë këta votues mbrohen a përfaqësohen me bojkot? A mos vallë fushata e ashtuquajtur e paralajmëruar e lëvizjeve të shumta në administratë, për shkak të bindjeve politike, mbrohet pa e bërë të pranishme problemin, madje dhe fortësisht në Parlament? Apo gjetja e vrasësve të deputetit Xhindi arrihet me konferenca nga zyra e selisë së partisë? Si paraqitet pra, më mirë votuesi, duke u përfaqësuar apo jo në Parlament? Zgjedhjet tashmë kanë mbaruar dhe votuesve u duhet puna, normaliteti, ekonomia, kriza. Të mendojnë për standardet dhe rregullimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme, apo “për gjetjen e kutive të zeza të avionit të rrëzuar” u duhet vetëm politikanëve dhe aparatçikëve të partive, jo votuesve të lodhur nga kjo maratonë fjalimesh e debatesh. Është ky një sinqeritet apo një arrogancë dhe cinizëm me votuesin tënd? Kjo është sfida e brendshme partiake që kërkohet të kapërcehet sot nga politika e re e opozitës, nëse kërkon të jetë pikërisht ajo politika e re që premtoi të çelë në stinën e jetës shqiptare.  Bojkoti tek e fundit nuk është as përbërës koherent i saj, përderisa një klimë e “çtensionuar” nga konfliktet dhe anomalitë e mëdha historike të njohura më parë midis pozitës dhe opozitës (edhe pse nga shumica e analistëve të majtë u kritikua ashpër), përgjatë gjithë legjislaturës së shkuar, ishte cilësori më i mirë i kësaj politike të re, cilësori më i mirë i një opozite të fortë, të vendosur, por edhe racionale në limitet e saj, një opozite që e ktheu parimin e “konsensuseve të kryqëzuara” me pozitën, në shtyllën e aktivitetit të saj. Mirëpo ky është një cilësor i drejtpërdrejtë i atij liberalizmi modern politik që nuk shënoi pika të tilla vendimmarrjesh si bojkoti, as edhe atëherë kur ndoshta situata qe më e favorshme për të, me ndodhjen e tragjedisë së Gërdecit. Mos ndoshta fajet e qeverisë për zgjedhjet ishin në po të njëjtin nivel si në tragjedinë e Gërdecit? Është një alibi që nuk mund të besohet. Është një rrugë e nisur bashkëpunimi për çështje madhore e me interes kombëtar që u ndërpre në mes. Pse vallë? Më shumë besojmë të ketë ndikuar ndryshimi i palëve faktor në raportet me pozitën, tashmë të ndërruara nga PS në LSI. Apo mos vallë besohet se legjitimiteti i qeverisë së një vendi është diçka me të cilën mund të sillesh me një shkujdesje të tillë prej politikani të papjekur, apo si diçka e përshtatshme për strategjinë e “partizanit” apo të “luftës guerile”? Veçse harrohet se në këto lloj strategjish ai që përdoret është populli që të votoi, pasi kështu ai nuk trajtohet si një bashkësi qytetarësh me ide e punësime të ndryshme, por ndahet në fanatikë, rebelë dhe indiferentë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›