PS: Të hapen kutitë, PD: Bojkoti, alibi e Edi Ramës
PD e PS përplasen për kushtet e vendosura nga opozita për t’u rikthyer në parlament. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, e quajti absurd kushtin e PS-së për të ngritur një komision hetimor për 28 qershorin, e si rrjedhojë rihapjen e kutive të numëruara të votimit. “Na kërkuat të hapen kutitë, që është njëri nga kushtet. Por unë mund të them se Sali Berisha, PD dhe askush tjetër, as i hap dhe as i mbyll kutitë. Kutitë i hapin, i mbyllin, votat i numërojnë institucionet dhe institucionet kanë folur. Për sa kohë institucionet kanë folur, ne të tjerët duhet të heshtim”, tha Patozi. Njëkohësisht, sipas tij, absurde janë edhe gjashtë kushtet e tjera të vendosura nga PS-ja, për të cilat thotë se janë bërë vetëm që Rama të justifikojë humbjen. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së. Deputetja Olta Xhaçka tha gjatë një komunikimi me mediat se “Kryeministri i Gërdecit nuk pushoi së gënjyeri dje shqiptarët, duke arritur të thotë se ka pasur ofertë nga Edi Rama, për të bërë një qeveri pa Ilir Metën, por sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pazari i tij me Ilir Metën për mashtrimin e një pjese të popullit opozitar është bërë përpara 28 qershorit”. Sipas saj, “Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën, në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, po nuk mund ta ulë dot kurrë në gjunjë Partinë Socialiste dhe nuk mund ta mbajë dot kurrsesi në këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit, duke mbajtur në errësirë të vërtetën e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit. Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike po dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë”.