E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katarsis dy, i dumbabistëve socialistë

Shpëtim Nazarko 

Në një sërë shkrimesh të holla e për shumë kohë Blushi i vjetër stigmatizon pa mëshirë tendencën dumbabiste të shoqërisë sonë. Nuk e di a mund të klasifikohet marshimi katarsist i Blushit të ri i këtillë. Nano duket larg në horizont dhe do kohë për të ardhur. Veç kësaj gojët e liga thonë që nuk ka ndonjë interes të madh në këto meseletë tona. Gjendet diku larg ...në Europë dhe koha e të “dhjetave” nuk ka ardhur ende. Mbase ka pasur sezon të mirë në sportin e tij të preferuar që ia njohin të gjithë dhe vështirë të këputet këtej tutje për të na dhënë ndonjë leksion të demokracisë liberale. Po ndoshta dhe gaboj në këtë analizë. Mund të mos ketë fare lidhje kjo punë e katarsisit dy të çetës së tanishme të PS-së me ish-udhëheqësin e vjetër, me përjashtim të faktit që shumica e saj janë ish-ministra po të vjetër të tij, e pjesëmarrës të katarsisit numër një. Në planin krahasues diferencat e dy katarsiseve janë disa. Socialistët nuk janë në pushtet, si më 2001. Shakaja po përsëritet dy herë dhe sipas rregullës së vjetër e të njohur, e para është tragjedi dhe e dyta është komedi. Populli i majtë do të kishte bezdi për herë të dytë edhe vetë udhëheqësin e çetës për të dhënë shfaqjen dhe jo më anëtarët e saj.
Thua ta teprojmë në analizë e të tregojmë anësi? A ka mundësi të tregojë ndonjë prej katarsistëve të rinj, se si ka mundësi që një njeri si Berisha që iku nga pushteti më 1997 duke lënë nga prapa një tragjedi të njëjtë me atë të një lufte dhe e cila pruri në Shqipëri tërë efektivat e NATO-s për të na shpëtuar nga kjo çmenduri kombëtare, të vijë prapë në pushtet? E po ashtu të shihet prapë nga gjysma e popullit, si një njeri që do të na shpëtonte nga fatkeqësitë e prura nga udhëheqja e Nanos dhe ish-ministrave të tij? Thua të përgjigjet vërtet ndonjë katarsist? Ka dy mundësi. Ose i kemi rënë në qafë Berishës më shumë se sa duhet më 1997, ose zullumi i qeverisjes pas tij nga socialistët ka qenë aq i madh sa u desh të thërrisnim edhe njëherë në skenë zotnë e vjetër?
Kjo analizë e thjeshtë i ka shpëtuar ndoshta ish-ministrave të vjetër të Nanos që i janë përveshur katarsisit numër dy. Nga shkon e vërteta e kësaj pyetje? Për vete anoj nga ideja e dytë. Rama me gjithë përpjekjet e veta individuale e intelektuale, shumë më tepër se sa partiake nuk mund ta lante gjithë atë qeverisje të mbrapshtë të viteve 2001-2005, ku socialistët filluan të talleshin me pushtetin në mënyrën më të pamëshirshme. Filluar nga katarsisi qesharak i 2001, KPD-ja po qesharake e atij viti, mungesa e ministrave për një kohë të gjatë në 2003 dhe fjalimit po qesharak të Nanos në Kongres, ku u paraqit si njeriu që prapa i vinte historia. Ministrat e katarsisit numër dy nuk folën atëherë asnjëherë, por kënduan në kor bashkë të njëjtën këngë me shefin e vjetër, refrenin e të cilës ua përsëriti Berisha në 2005. Thua t’i kenë harrur këto anabase të neveritshme ministrat e vjetër?
Megjithëse e quaj po të keqe qeverisjen e Berishës së sotëm, mjafton të shohësh taksat e mbledhura të tij në 2006, për të kuptuar se ç’po bënin me pushtetin e ‘97-ës, Nano dhe aradha laramane e ministrave që ndërroheshin për qejf të të zotit dhe i shiteshin popullit si shenjë demokracie. Në këtë sens mund të shihet si përpjekje normale ajo e Ramës që kërkoi të fshinte tërë kujtimin e viteve të kaluara, por vetëm, në krye të socialistëve e jo socialistëve. Ai që e gjykon si humbje të tij këtë fushatë ka të drejtë. Por jo ai që ka lexuar dy libra në jetën e vet. Brenda dy vjetëve në fushata lokale dhe kombëtare Rama i çoi socialistët në fitore dërmuese në qytetet e mëdha. Ishte një shenjë besimi i dhënë nga një popull që ishte dhe nuk ishte socialist. Mund ta shohësh me punë shifrash këtë rezultat, por mundesh dhe ndryshe. Nuk është e vështirë sot të shohësh se vendi është i prerë si me thikë. Në qytetet e mëdha apo shumicën e tyre socialistët kanë fituar bindshëm, por kanë humbur në zonat rurale dhe përgjithësisht në veri. Kjo nuk do shumë analizë. Është e njëjta situatë si ajo e ‘91-shit, kur Partia e Punës fitoi njëlloj si PD-ja e sotme. Po të doni nëse e transferojmë shembullin në Amerikë është e njëjta situatë me Bushin e fushatës së dytë, ku qendrat e mëdha e ndëshkuan duke dhënë paralajmërimin e të nesërmes së rëndë për vendin e tyre. A mund ta lante Rama i vetëm tërë katrahurën e trashëguar nga Nano dhe ish-ministrat e tij? Besoj ka bërë shumë, por jo në partinë që ka zgjedhur të kryesojë. I ardhur si një njeri shumë larg saj, ka fituar besimin e socialistëve më shumë se sa duhet dhe inatin e ish-ministrave akoma më shumë. Për mua arsyeja është e thjeshtë. Rama i përbuz parazitët partiakë në një mënyrë që është e lehtë t’ia dallosh. Në një formë tjetër të shprehuri mund të thuash se aleancat e tij në këtë drejtim kanë qenë dhe do jenë afatshkurtra. Këtë e kam vërejtur mirë në marrëdhëniet e tij këto tre-katër vjet që ka drejtuar PS-në. Natyrisht vetë mendoj se ai nuk e humb kurrë këtë luftë me ish-ministrat e Nanos. Besoj që vetëm tani pas zgjedhjeve të qershorit ai është bërë udhëheqësi real i socialistëve të thjeshtë, që e ndjejnë më shumë se aparatçikët partiakë forcën e njeriut që udhëheq. Beteja e Ramës faktikisht nuk qëndron me ta. Beteja e Ramës qëndron me veten e tij. Si një njeri që nuk më ka ngrënë malli për partitë dhe i kam parë gjithnjë si një e keqe e domosdoshme, nuk jap dot mendime për këtë punë. Por më ka ngelur në kokë një frazë e Gëtes që thoshte shpesh; Vetëm Napoleoni i zgjidhte njerëzit rrotull tij të rinj ambiciozë, por të talentuar dhe për këtë arsye ata nuk e shpërdoronin kurrë besimin e tij. Për të mos i dhënë ngjyrë individuale këshillës, besoj se ajo mund të përkthehet vetëm kështu. Shqipëria e varfër dhe e poshtëruar këto njëzetë vjetët e fundit thuajse si në kohën e Hoxhës, ka kohë që i dërgon djemtë e saj brenda e jashtë vendit për të mësuar. Nga kjo mori e pafund njerëzish mund të krijohet ajo çetë e vërtetë që udhëheq vendin. Dhe vetëm ajo mund të zëvendësojë huqet e të përkëdhelurve të sulltanit të radhës, që duke udhëhequr kope servilësh nuk bën gjë tjetër veçse shton mjerimin e vendit të tij.
A do ta bëjë dot këtë Rama? Nuk e di a i ka vërtet këllqet ta bëjë këtë punë. Është një betejë e rëndë dhe e gjatë, ku më shumë se partia apo lufta me aparatçikë, ish-ministra a dreqi e di se kush nga rraqet e vjetra, kërkon ngritjen e ekuilibrave të rinj shoqërorë. Është një betejë shumë më e vështirë se sa heqja e perçes anadollake të Tiranës apo kioskave të ngritura dhe rrotull Skënderbeut, çka e bëri në mënyrë të hekurt. Kjo është çështja reale e që duhet diskutuar. Katarsistët e rinj apo ish-ministrat e vjetër ndoshta nuk e kanë kuptuar se beteja e tyre ka ikur bashkë me ish-udhëheqësin e vjetër. Dhe për këtë zor se ka faj Rama apo socialistët e thjeshtë. Zëri desh ngritur me kohë. Pyetja e tyre sepse populli i majtë voton për të djathtën, ka vetëm një përgjigje të thjeshtë. Ky popull është i tërë i majtë për shkak të varfërisë së trashëguar. Dhe ai nuk zgjedh në bazë të filozofisë majtas apo djathtas, por për ata që ndjen se mund ta udhëheqin duke larë të paktën mëkatet e të kaluarës. Pra, pyetja e thjeshtë është a i lante dot Rama mëkatet e shefit të ministrave të vjetër, apo duhen të ikin bashkë me të dhe ata vetë? Ndryshe pa zgjidhur këtë pyetje spektakli i dhuruar i quajtur katarsis zor se i hyn në punë njeriu në këto kohëra të vështira sado i bukur të jetë, e veçanërisht kur shfaqja jepet dy herë me të njëjtët aktorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›