Bojkoti, rruga e Edi Ramës drejt privatizimit të PS-së
S’ka mundësi të tjera për Edvinin që t’i shpëtojë linçimit të opinionit publik, përveç destabilizimit të politikës, shpalljes së bojkotimit të parlamentit, derisa të marrë një mandat katërvjeçar antistatutor dhe të përjashtojë grupin e kundërshtarëve, me justifikimin se s’po u binden vendimeve politike të kryesisë
Edi Rama i është rikthyer sërish dje idesë së bojkotit të Parlamentit, kur vetëm një muaj më parë, saktësisht në 27 korrik 2009, Asambleja Kombëtare e PS-së i dha shuplakë kësaj ideje, kur në rezolutën e saj, pikërisht në pikën 5, sanksionoi se, “PS nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit. PS është e palëkundur për të bërë deri në fund transparencë të procesit me gjithë instrumentet ligjore dhe kushtetuese”.
Ndërsa Kongresi i Jashtëzakonshëm dy ditëve më parë i PS-së, nuk pati guximin të merrej në Rezolutën e tij me këtë argument, Edi Rama, një ditë pas këtij kongresi, në të njëjtën ditë kur e kishte lajmëruar në një prej gazetave të tij, “bojkotin” e Parlamentit me kokë të vetë, e hodhi këtë ide përsëri dje për konsum publik, në tregun politik.
“E reja” e pretenduar prej Ramës dje, në prezantimin e kësaj ideje të vjetër, kishte të bënte me faktin se vendimin për bojkotin e parlamentit do e marrin strukturat e partisë.
“Vendimmarrja e PS për marrëdhëniet me këtë parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm”, prezantoi dje Edi Rama, në mënyrë të përsëritur, idenë e bojkotit të Parlamentit.
Ajo që Edi Rama, nuk saktësoi, por që lehtësisht merret me mend, është kush “strukturë partie” do të marrë guximin të vendosë për bojkotin e parlamentit, nga ana e grupit të deputetëve socialistë. Ky dyshim, shtohet, po të kihet parasysh se Asambleja Kombëtare, u shpreh një muaj më parë, saktësisht në 27 korrik 2009, në pikën 5 të Rezolutës së miratuar prej saj, kundër bojkotit. Nga ana tjetër Kongresi i Jashtëzakonshëm, me Rezolutën e tij të pretenduar si të miratuar dy ditë më parë, por që nuk gjendej askund e publikuar (as në gazetën zyrtare të PS-së “Zëri i Popullit”), nuk e përmendte aspak mundësinë e bojkotit të parlamentit, dhe aq më pak, mundësinë e delegimit të ndonjë strukture të PS-së, që të ridiskutojë dhe të rivendosë për mundësinë e bojkotit.
Këtë të drejtë të një vendimmarrje të mundshme për bojkotin e parlamentit, Statuti i PS-së, nuk ia njeh as Kryesisë së kësaj partie. Pikërisht në Nenin 27 të këtij Statutit, ku flitet për Kryesinë e PS-së, në pikën 1 të tij thuhet se “Kryesia e PSSH zbaton vendimet e organeve drejtuese qendrore”. Pra, ky forum nuk është asgjë më shumë se një zbatues vendimesh dhe jo një vendimmarrës. Në fakt, Kryesia mund të marrë disa vendime, por që lidhen me menaxhimin e asteteve njerëzore, e thënë ndryshe “menaxhimin e udhëheqësve të partisë”, por edhe kjo e drejtë jo më shumë nga niveli i “propozimit”, apo ca vendime të tjera në nivelin e “tundjes së dhëmbëve”, drejtuesve dhe strukturave lokale të PS-së.
Saktësisht, sipas Nenit 27 të Statutit të PS-së, kryesia nuk gëzon asnjë të drejtë më shumë nga “përpunimi i qëndrimeve politike”, “propozim i emrave kandidatë për funksione shtetërore”, “kontrollin e organeve në nivelin lokal të PS-së”, “vendosjen për organigramën dhe strukturën e forumeve drejtuese të partisë”, “miratimin e kandidaturave për kryetarët lokalë të PS-së, për kryetarët e njësive vendore, si dhe për deputetët”, apo edhe “merret me emërimin e personave që merren me financat e partisë, si dhe kontrollon shpërndarjen e këtyre financave, bashkë edhe me kontrollin e shtypit të partisë”.
Pra sikurse shihet, përmbajtja e Nenit 27 të Statutit të PS-së, nuk i njeh asnjë të drejtë Kryesisë së kësaj partie që të guxojë të diskutojë e vendosë për bojkotin e parlamentit.
Por atëherë, kë forum kishte parasysh Edi Rama dje, kur lëshoi broçkullën se, “Vendimmarrja e PS për marrëdhëniet me këtë parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm”.
Sigurisht që Edi Rama nuk foli kot dje.
Ai e njeh Statutin e PS-së, aq sa të dijë se ekziston edhe neni 28 që flet për “Kryetarin e PSSH-së”.
Pavarësisht me problemet që ka Edi Rama me pjesën e dytë të këtij neni, i cili nuk e njeh atë për kryetar të partisë dhe as për kandidat për rizgjedhjen si kryetar, ai di gjithashtu se leximi i këtij neni, fillon nga sipër, nga pjesa e parë. Dhe pikërisht në fillimin e pjesë së parë të Nenit 28, Edi Rama, nuk mund të mos ketë lexuar se ndër kompetencat e renditura për “Kryetarin e PSSH-së”, nuk mungon edhe ajo që thotë se, “Kryetari i PSSH është drejtuesi më i lartë politik i partisë”.
Kaq mjafton, që Edi Rama, nga pozitat e “drejtuesit më të lartë”, kur shpërfilli pjesën e dytë të Nenit 28 që nuk e njeh atë për kryetar partie, të shpërfillë nga dje edhe vendimet e Asamblesë Kombëtare të partisë, të Kongresit të Jashtëzakonshëm dhe në emër të tyre të marrë vendime vetë.
Pra, ai fare mirë, mund ti njohë vetes të drejtën, të marrë vendimin për bojkotin e Pparlamentit nga ana e deputetëve socialistë.
Në fakt, Edi Rama, nuk ka nevojë për bojkotin e Parlamentit nga ana e deputetëve socialistë, sipas kuptimit të parë të emrit “bojkot”. Thjesht ai ka nevojë për shtyrjen e hyrjes së këtyre deputetëve në Parlament, jo më shumë se tri javë, saktësisht nga data 7 shtator (dita e parë e zyrtarizimit të Parlamentit të ri) deri në 26 shtator, dita e zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar një votë”, nga anëtarësia socialiste.
Kjo shtyrje e hyrjes së deputetëve socialistë në Parlament, Edi Ramës i duhet për të “mbajtur gjallë” argumentin e “vjedhjes së votave”, apo të “parlamentit ilegjitim”, thjesht dhe vetë “për të mbajtur gjallë” apo edhe “për të karikuar” anëtarësinë e PS-së, për ta votuar atë në masën 99.99 për qind, si “shpëtimtarin e vetëm”, të PS-së.
Do të pyes ndokush, “po Maqo Lakrori, sa vota do të marrë?”.
Përgjigja është, “ai alla marrtë votën e tij, se mos e bën si Namik Dokle, që kur ishte në garë për President me Ramiz Alinë, mburrej se votën e tij ia dha Ramiz Alisë”.
Ca më hollë, ndërsa Edi Rama, ka krijuar bindjen se do të fitojë në zgjedhjet për kryetar të PS-së, por se vetëm merak ka të konfirmohet në nivelin e 99.99 për qind të votave, ai, me idenë “e vjetër” të bojkotit të parlamentit, nuk mund të mos llogarisë që “me një gur të vrasë dy zogj”.
E thënë disi më thjeshtë, shtyrja e hyrjes së deputetëve socialistë për tri javë në Parlament, do t’i shërbejë më shumë Edi Ramës, edhe për pas datës 26 shtator 2009. Pas kësaj date, kur ai të jetë konfirmuar si kryetar i PS-së, do të bëjë një analizë dhe do të shohë se kush nga deputetët do t’i thyejnë urdhrin për të mos hyrë në Parlament, për t’i shpallur ata pas datës 26 shtator “armiq”, pse jo edhe për ti përjashtuar nga partia...