“Gjuha staliniste e Edi Ramës na forcon bindjen në vendimin për koalicionin historik PD-LSI”
Reagon LSI-ja pas akuzave të Edi Ramës në Kongresin e Jashtëzakonshëm
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka ndërmend të preket aspak nga deklaratat e Edi Ramës një ditë më parë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Madje shprehet edhe më e bindur më shumë pas kësaj, në vendimin e saj për koalicionin me PD-në.
Nëpërmjet një reagimi për shtyp, LSI-ja bëri ët ditur dje se, “degradimi i lidershipit të PS-së forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për realizimin e një koalicioni të rëndësishëm dhe historik me PD-në për të garantuar stabilitetin e qeverisjes së vendit dhe suksesin e reformave që bashkojnë Shqipërinë me Evropën”.
Gjatë konferencës për shtyp, zëdhënësi i LSI-së, u shpreh më tej se, “Edi Rama demonstroi me fjalimin e mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste fytyrën e qartë të një kryetari të papërgjegjshëm. Gjuha staliniste e Edi Ramës kundër të gjithëve, dhe në mënyrë të veçantë kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për këtë koalicion të rëndësishëm dhe historik me PD-në”.
Sipas zëdhënësit të LSI-së, “në vend që t’u kërkonte falje të gjithëve për dëmet që i ka sjellë Kushtetutës, kodit zgjedhor, dhe gjithë procesit demokratik të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, Edi Rama zgjodhi gjuhën e dëshpërimit, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të fabrikimit të alibisë së tij personale. Me gjuhën provokuese të një keqbërësi ordiner ai provoi edhe një herë që e urren të majtën dhe se interesat e të gjithë mbështetësve të Partisë Socialiste ai i sheh vetëm si një trampolinë për të mundësuar realizimin e një pushteti mafioz absolut dhe të një diktature personale pakufi”, tha ai.
I pyetur rreth bashkëpunimit të kërkuar prej Ramës me 5 anëtarët e LSI (Xhufi, Klosi, Brokaj, Legisi e Muçi), zëdhënësi i LSI-së u shpreh se, “LSI ka struktura zyrtare, ka një kryesi dhe një kryetar i cili është mandatuar nga shumica dërrmuese e Konventës së Jashtëzakonshme për të negociuar me PD-në, për bashkëqeverisje gjatë 4 viteve të ardhshëm dhe për të garantuar suksesin e reformave që do çojnë Shqipërinë më afër Evropës. Pas krimit elektoral të orkestruar prej tij dhe strukturave kriminale nën diktatin e tij, tashmë është tepër vonë për Edi Ramën të kërkojë bashkëpunim me LSI-në. Ai kërkon të shkatërrojë dhe të krijojë kaos, ndërsa ne do të veprojmë në shërbim të interesave të gjera të qytetarëve shqiptarë”, përfundoi zëdhënësi i LSI-së.