E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet në 85-vjetorin e lindjes së tij Vehbi Bala

06/12/2008  Sesion shkencor në universitetin “Luigj Gurakuqi”

SHKODER- Profesor Vehbi Bala është përkujtuar dje me anë të një sesioni shkencor në bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ky sesion përkujtimor-shkencor u zhvillua me rastin e 85-vjetorit të lindjes së profesor Vehbi Balës. Sesioni u organizua nga Universiteti i Shkodrës si dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Për të përkujtuar dhe vlerësuar profesor Balën ishin mbledhur së bashku, studiues, pedagogë dhe miq të tij jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga Tirana ku referuan: Alfred Capaliku: “Vehbi Bala, personaliteti dhe poeti", Klara Kodra: "Vehbi Bala, studiuesi i letërsisë shqipe", Fatbardha Hoxha: " Vehbi Bala, historiani i letërsisë shqipe"

George Miku (ambasadori rumun në Shqipëri) "Vehbi Bala, profesori i Universitetit të Shkodrës" dhe Skënder Drini: "Vehbi Bala dhe Shkodra", të cilat kanë përkujtuar dhe vlerësuar figurën e Vehbi Balës. Ndërkohë kumtuesit sollën në kujtesë dhe vlerësimin që ka dhënë profesor Jup Kastrati për profesor Balën, ku thuhej se:

"Në historinë e letërsisë së re shqipe të njëkohshme, Vehbi Bala ka hyrë si poet lirik dhe në ndonjë poemë, si vjershëtar i poezisë liriko-empirike". Vehbi Bala lindi më 1923 në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Tiranë dhe në Bukuresht (Rumani). Qe mësues në gjimnazin e Gjirokastrës dhe të Shkodrës, më pas pedagog i Letërsisë Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës si dhe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mësuesi i Popullit Vehbi Bala vdiq në Tiranë më 1990. U shfaq si poet me vëllimet "Shtigje Drite” 1946, “Vjersha” 1954, "Gjaku i falun" 1955, "Poezia e Rrugës" 1959, "Në rrjedhë të jetës"1969, "Burim poezie" 1977, "Epigrame" 1979, "Persiatje" 1981, "Vallja e luleve" 1986. Në fushën e studimeve letrare spikati me monografitë "Jeta e Elena Gjikës" 1967, "Fan S. Noli" 1972, "Migjeni" 1974, "Viktor Eftimiu" 1978, "Pashko Vasa" 1979, "Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra" 1998 etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›