Boll! Kështu nuk shtyhet më!, komedia vjen në skenën durrsake
Dario Fo është një nga autorët e preferuar të skenës durrsake. Tashmë një tjetër nga komeditë e tij vjen në skenën e pallatit të kulturës në Durrës. Boll ! Kështu nuk shtyhet më!, kështu quhet komedia e cila vjen premierë enjten në skenën e teatrit Aleksandër Mosiu Durrës. Një komedi e shkruar nga autori italian Dario Fo, e cila është vënë nga mbi 600 teatro e kompani teatrale në të gjithë botën.
Edhe pse është shkruar 33 vjet më parë, edhe pse është e ambientuar në Itali ajo është tepër aktuale dhe duket sikur është shkruar posaçërisht për vendin tonë. Komedia flet për një aktualitet më të vërtetë se kurrë. Loja e aktorëve, mizanskenat e shumta në sallë do ta bëjnë dhe publikun të ndjehet i përfshire në këtë histori. Një tjetër element regjisorial është dhe vendosja e pllakateve të shumta në sallë ku të krijohet ideja e një mitingu, por që këtë herë nuk organizohet nga asnjë parti politike apo shoqatë joqeveritare, por nga një grup i vogël artistësh që me gjithë vështirësitë që hasin për të qenë apo jo, marrin guximin për të dhënë një mesazh. Ethet elektorale, kriza ekonomike, qytetare të pakënaqur nga sistemi politik, do të jenë në qendër të shfaqjes me të re trupës së teatrit Aleksandër Mosiu të Durrësit. Kjo komedi është një tekst që trajton situatën politike sociale, në formën e satirës së groteskut. Regjisorja Dervishi po përpiqet që të ngjisë në skenë një komedi, e cila do të mbetet në kujtesën e publikut për nga realizimi skenik, përmbajtja dhe aktrimi. Komedi kjo e cila do të vihet nesër në skenë nga regjisorja Driada Dervishi. Në të marrin pjesë aktorët më të mirë të Durrës, si Xhelal Tafaj, Eftjola Lacka, Ervin Doko, Erald Caushi, Marvin Tafaj, Hysen Bashhysa, Sanije Hoti e Muharrem Hoxha. Dario Fo është një aktor brilant, pantomimist, regjisor, autor, aktor, skenograf që prej 40 vjetësh është një nga protagonistët më aktivë dhe kurajozë të teatrit italian dhe të atij botëror. Në gjithë Italinë Fo njihet nga të gjithë si aktor dhe shumë pak si autor. Ndërsa në gjithë botën ai njihet si një autor. Fo ka shkruar rreth 70 pjesë, disa prej tyre me bashkëautorësi me Franka Ramen. Viktimë e satirës së tij është miopia e treguar nga qeveria. Në vitin 1997 ai merr çmimin Nobel .