E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Kujdes ndërhyrjet ne lek

13/04/2009  Gjergj Buxhuku: Është e papranueshme të kërkohet zhvleftësim i sforcuar i lekutt

Analiza e përgjithshme tregon shenja të besueshme për qëndrueshmërinë e lekut

Brikena Demiras

Ka shenja të besueshme që leku të jetë i qëndrueshëm në muajt në vazhdim. Ndaj Autoriteti Mbikëqyrës duhet të jetë i kujdesshëm në ndërhyrjet në tregun e valutave. Kjo është kërkesa e Konfindustriasë, grupimi më i madh i industrialistëve në vend. “Në kushtet e pasqyrimit të pasojave të krizës ndërkombëtare financiare në ekonominë shqiptare, i kërkojmë Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë në tregun e valutave vetëm në rastet kur zbulohen veprime me natyrë spekulative, duke e lënë në çdo rast tjetër përcaktimin e vlerës së monedhës kombëtare kundrejt monedhave të tjera në raportin kërkesë/ofertë. Çdo shmangie nga ligjësia e mësipërme do të thotë, që në rastin më të mirë të shpenzohen pa arsye rezervat valutore të vendit pa asnjë ndikim të prekshëm në afatgjatë në vlerën e monedhës kombëtare dhe me pasoja negative në dobësimin e qëndrueshmërisë së mëtejshme makroekonomike të vendit”, - tha administratori i përgjithshëm Gjergj Buxhuku.

Argumentet

Konfindustria e vlerëson qëndrueshmërinë e lekut kundrejt euros dhe dollarit amerikan gjatë 5 javëve të fundit me një kah të lehtë forcimi pas zhvleftësimit të ndodhur në fillim të vitit 2009. “Është e papranueshme për çfarëdo arsye, që të kërkohet zhvleftësim i sforcuar i lekut, në kushtet kur asnjë institucion shqiptar nuk është në gjendje të kryejë analiza afatgjatë të ndikimit të politikave monetare në ekonominë kombëtare dhe kur është e qartë se politikat e mëdha të zhvillimit në tregjet botërore përcaktohen nga vendet e tjera, ndërsa ne jemi vetëm pritës të pasojave të tyre”, - tha Buxhuku. Analiza e përgjithshme, sipas tij, tregon se ka shenja të besueshme, që leku të jetë i qëndrueshëm në vazhdim. Faktorë janë viti mjaft i mirë hidrik, i cili ka balancuar rënien e të ardhurave të emigrantëve. Po kështu rënia e ndjeshme e çmimeve të importeve bazë ka zvogëluar pasojat e rënies së eksporteve shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›