E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollano: Projekti i bregdetit u konsultua me komunitetin



Projekti për bregdetin e Jugut është konsultuar me komunitetin e zonave përfshirëse. Pohimi vjen nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Valis Bollano, i cili për “standard” pohon qartë se masterplani i ri për zhvillimin e zonës bregdetare, është bërë në konsultime me banorët e zonës. Sipas tij, ky plan është tepër pozitiv dhe do të ndikojë në zhvillimin e zonës dhe turizmit. “Ky masterplan është realizuar në kontakte të përditshme me komunitetin, ashtu siç duhet dhe ky studim do t’i shërbejë komunitetit dhe patjetër ne e vlerësojmë si një hap shumë pozitiv”, - thotë z. Bollano. Me gjetjen e financuesit, Bashkia e Himarës do të nisë përgatitjen e planit urbanistik për të gjithë zonën e saj, që nga fshati Dhërmi e deri në fshatin Qeparo. Njëkohësisht në këtë zonë, ka nisur një numër i madh investimesh. Granti i qeverisë për këtë bashki është tetëfishuar duke bërë të mundur që në çdo fshat të ketë një investim të rëndësishëm.

Z. Bollano, përgjatë vijës bregdetare që mbulohet nga bashkia juaj po kryhen një sërë investimesh në infrastrukturë. Cili është vlerësimi juaj për këto ndërhyrje?

Këto investime duheshin bërë shumë vite përpara, por patjetër që edhe në këtë kohë që kanë nisur, është një moment tepër i përshtatshëm, sepse gjithë përkushtimi që i bëhet zhvillimit të një turizmi bashkëkohor, e kishte të nevojshme. Sigurisht këto investime janë të shumta dhe kur e them këtë kam parasysh se janë të nevojshme dhe janë në të gjithë territorin që mbulon Bashkia e Himarës. Kryesisht këto investime vijnë nga buxheti i shtetit, siç është aksi rrugor Palasë - Sarandë, infrastruktura në zonat e banuara, siç është qyteti i Himarës që ka pasur një infrastrukturë 4.5 kilometra. Kjo është një punë e madhe voluminoze dhe nga aspekti i shifrave bëhet fjalë për disa miliona dollarë. Në këtë pikëpamje janë edhe investimet që po implementohen nga investimet e Bankës Botërore në raundin e parë, i cili përmban shtatë projekte që shtrihen në të gjithë territorin e Himarës, që nga fshati Palasë e deri në fshatin Qeparo. Këto janë investime serioze nga projektet, por edhe nga ana e funksionimit të tyre. Pra të kemi një infrastrukturë të kohës e cila t’u përgjigjet të gjitha kërkesave në shpejtësi dhe me cilësi, por patjetër edhe në mënyrën e jetesës së përditshme të banorëve.

Po nga ana e bashkisë, ka pasur investime?

Këto projekte që ju përmenda në parim, një pjesë e tyre janë të njësisë vendore ku investitori është kryesisht buxheti i shtetit, siç është ujësjellësi në qytetin e Himarës, problemi i ujërave të zeza, problemi i ujërave të bardha, problemi i ndriçimit, problemi i trotuareve, por siç e thashë, këto fonde vijnë nga buxheti i shtetit pasi kuptohet që këto janë investime që kalojnë miliona dollarë të cilat nuk mund të përballohen vetëm nga buxheti i njësisë vendore. Por ka edhe investime që vijnë nga të ardhurat e bashkisë, siç është këndi sportiv i qytetit të Himarës, siç janë edhe investime të tjera publike, si ndriçimi që bëhet nëpër fshatra që ishin shumë të domosdoshme. Tani konkretisht kemi projektin e ndriçimit të fshatit Dhërmi, projektin e ndriçimit në fshatin Palasë, investimet në rrugë dhe infrastrukturë dhe të gjitha këto nga buxheti i shtetit. Pastaj kemi edhe rrugën e re në fshatin Palasë, kemi rrugën e brendshme të fshatit Dhërmi si dhe ujësjellësin në këtë fshat, rrugë në fshatin Ilias, ujësjellës në fshatin Vono, një pjesë e ujërave të zeza të qytetit të Himarës dhe një rrugë lidhëse në fshatin Qeparo me bregun e detit. Pra, këto janë shtatë projekte në bashkinvestime që vijnë me fondet e Bankës Botërore. Them bashkinvestime, sepse kushtet e Bankës Botërore janë që 20 për qind të vlerës përballohen nga komuniteti, pra jemi bashkinvestues dhe flasim për shifra që tejkalojnë 20 milionë lekë të reja. Ndërsa pjesën tjetër e mbulon Banka Botërore.

Këto projekte përfundojnë në shumicë përpara 15 prillit, pra para sezonit turistik. Ju bën optimist ky fakt për më shumë pushues së Himarë?

Në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës që e kishim shumë të nevojshëm këtë ndërhyrje, që do ta quaja gjigande për njësinë tonë vendore, kontratat thonë se duhet të mbyllen përpara sezonit turistik. Sigurisht për arsye objektive, pasi edhe koha ka qenë e keqe me një dimër të lagësht, kanë qenë shkak për ngecjen e punimeve, por në bashkëpunimin që kemi me firmat, kemi shpresë se volumi kryesor i punimeve të mbyllet përpara sezonit. Pra, ndikimi do të jetë mjaft pozitiv për sa i përket jetës së banorëve, mënyrës së mbërritjes së vizitorëve, por edhe në jetën e përditshme të tyre. Kjo, shpresojmë, se do të ndikojë në rritjen e fluksit të pushuesve për këtë vit.

Tashmë kemi një plan të ri për menaxhimin e territorit të bregdetit. Si kryetar Bashkie i Himarës, një nga zonat më me prioritet zhvillimi, cili është vlerësimi juaj për këtë projekt?

Kemi studimin në nivel masterplani, pra në menaxhimin e tokës. Tani është faza e dytë që duhen përgatitur studimet urbanistike në mbështetje të legjislacionit të ngritur nga ky masterplan. Ky masterplan është realizuar në kontakte të përditshme me komunitetin, ashtu siç duhet dhe ky studim do t’i shërbejë komunitetit dhe patjetër ne e vlerësojmë si një hap shumë pozitiv. Ajo që ne kemi ngritur, është edhe pjesa e tokës, zgjidhja e saj pasi në qoftë se ky plan do të ishte efecient, duhet të zgjidhej edhe ky problem i tokës për të cilin ka një angazhim të qeverisë shqiptare. Shpresojmë të gjejë zgjidhje sa më shpejt në shërbim të interesave të komunitetit të zonës. Ne i kemi drejtuar shkresa edhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Bankës Botërore në lidhje me subvencionimin ekonomik të këtyre studimeve, të cilat ne duhet t’i përfundojmë brenda 6 muajve nga momenti që ka dalë ligji. Ka një vështirësi tani për arsye se nuk dihet se kush do të jetë subvencionuesi, por nisur nga përgjigjet, me akordimin e fondeve ose nga buxheti i shtetit ose nga Banka Botërore ne besojmë se do ta vëmë në eficiencë sa më shpejt.

Po bashkia juaj, në çfarë faze të përgatitjes së këtij plani është?

Ne jemi në fazën fillestare të tij. Por gjithmonë ka të bëjë me mbështetjen ekonomike që duhet të na jepet. Ne kemi pasur kontakte edhe me studio, edhe me shumë individë të ndryshëm që t’i realizojmë këto studime urbanistike për të gjitha fshatrat e Bashkisë së Himarës. Vështirësia më e madhe është aspekti financiar, pasi duhet të mbështeten ekonomikisht këto plane. Njësitë tona vendore nuk përballojnë dot shpenzime të tilla të mëdha.

Pra, është ende herët për të folur se si do të ndryshojë në të ardhmen Himara?

Patjetër, por në fund të vitit që jemi apo në vitet në vijim, nuk do të na kujtojë asgjë me vitet që kaluam. Kështu që ftojmë pushuesit të frekuentojnë Himarën, pasi do t’ia kalojnë vërtet shumë mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›