E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jala, qeveria informon Këshillin Mbikëqyrës të BB-së



Qeveria pritet të informojë Këshillin Mbikëqyrës të Bankës Botërore për të gjithë hapat e ndjekur gjatë projektit për zhvillimin turistik të Jalës. Mes tyre heqjen e “njollave” të ndërtimit, që ishin atribut i vendorëve në vitin 2004, por dhe kërkesën ndaj BB-së që të hetojë Panelin e Inspektimit si të pleksur me bosët e betonit të bregut. Por para se qeveria të përgatisë raportin e detajuar për çdo veprim të kryer dhe ligjshmërinë e tyre në zonën bregdetare, Kryeministri Sali Berisha i bëri dje prezent grupit parlamentar të PD-së, në takimin javor me ta, të gjithë situatën e krijuar për shkak të zhurmës së krijuar nga opozita për projektin bregdetar të Jugut, madje, duke folur dhe për kontratën me një kompani angleze, e cila dha ndihmën e saj, që përcaktoi dhe kritere se ku nuk duhej ndërtuar. “Kjo kompani ndihmoi me asistencën e saj për zhvillimin e zonës bregdetare dhe përcaktoi qartë zonat ku nuk mund të ndërtohej, si ato gëlqerore, rrëshqitje, mosndërtimi në zonat e paqëndrueshme gjeologjike, mosndërtimi afër monumenteve të kulturës etj.”, - tha z. Berisha. Kryeministri u bëri të ditur deputetëve se shumë shpejt qeveria do të përgatisë një raport përmes së cilit do t’i shpjegojë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Botërore se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin. Berisha shpjegoi fillimin e projektit që nisi në vitin 2004, atëherë kur qeverisnin socialistët dhe mënyrën se si qeveria e re demokratike hoqi njollat e ndërtimit, në zona ku nuk përfshiheshin në projekt. “Ne kemi ndjekur të gjitha rekomandimet dhe udhëzimet e Bankës Botërore dhe gjithçka është bërë në përputhje me ligjin”. Por Berisha deklaroi qartë se projekti do të vazhdojë në Jalë dhe se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje. Ai përmendi se Plani i Zhvillimit i Zonës Bregdetare që u miratua në korrik 2008, si plan rajonal tregon veç kriteret kufizuese mjedisore dhe kulturore dhe paraqet rregullore të detajuara në hartimin e planeve lokale. Sipas tij, plani i ri mundëson për herë të parë që autoritetet vendore të marrin përgjegjësitë e zhvillimit të territorit në komunitetin e tyre. Plani i Zhvillimit i Zonës Bregdetare paraqet kriteret mjedisore dhe kulturore që duhen respektuar gjatë hartimit të planeve lokale. Kriteret rrjedhin nga Kodi Evropian i Sjelljes në Zonën Bregdetare dhe janë diskutuar me palët e interesuara. “Ne hoqëm “njollat” dhe ua kemi lënë këtë autoriteteve vendore. Nëse ka një projekt-plan të bërë në historinë e këtij vendi në mënyrën më transparente, është ky i bregdetit të Jugut. Ndaj, duhet të jemi shumë transparentë në këtë drejtim”, - u shpreh z. Berisha. Ai u ka bërë të qartë deputetëve: “Ne nuk njohim “njolla”. Këtë e bëjmë për të bërë një projekt-plan të paqortueshëm. Të gjitha “njollat” janë atribut i autoriteteve vendore. Këto njolla ishte qeveria ime që i hoqi”, - tha z. Berisha. Ai akuzoi kryesocialistin Edi Rama për mënyrën se si e manipuloi situatën, por Berisha siguroi se qeveria është e vendosur që të bëjë transparencën e veprimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›