E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollano: “Rishikoni dëmin që shkaktoi ndërrimi i tabelave”

Autori i Lajmit: red.
Dëmi që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit Vasil Bollano me zëvendësimin e tabelave në gjuhën shqipe me ato në greqisht, do të rivlerësohet. Vendimi është marrë dje nga gjykata pas kërkesës së avokatit mbrojtës të kryebashkiakut të Himarës. Një grup ekspertësh, i caktuar nga gjykata e Vlorës, do të vlerësojë dëmet e shkaktuara nga heqja e tabelave në aksin rrugor Qeparo-Llogora në Vlorë, sipas një urdhri që dyshohet të jetë lëshuar nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.
Kërkesa
Avokati mbrojtës i Vasil Bollanos ka kërkuar rivlerësimin e dënimit të shkaktuar nga ndryshimi i tabelave. Sipas avokatit, eksperti i caktuar nga gjykata për këtë çështje, nuk përmbushte parametrat bazë të realizimit të një ekspertize të plotë, gjë që u kundërshtua nga përfaqësuesi i organit të akuzës, Sokol Malaj. Sipas tij, akti i ekspertizës ishte i plotë dhe i hartuar nga një specialist i licencuar. Vendimi u mor dje nga trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi Shkëlzen Selimi i Gjykatës së Rrethit të Vlorës ku po zhvillohet gjyqi në ngarkim të kryebashkiakut të Himarës. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se ekspertët do të hartojnë një aktekspertimi vlerësues për dëmin financiar, që mendohet se është shkaktuar nga urdhri i mësipërm i Bollanos. Ekspertët do të dalin në një shifër që do të pasqyrojë vlerën fianciare që është shpenzuar për ndërrimin e tabelave në aksin Qeparo-Llogara. Në vlerësimin e parë sipas aktekspertizës, dëmi i shkaktuar nga urdhri i Vasil Bollanos arrin në vlerën e 2.1 milionë lekë.
Akuzat
Shkak për hetimin e Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar Prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo – Qafë-Llogora. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, rezulton se i pandehuri Bollano është marrë në pyetje në lidhje me këto shkelje, duke mbajtur qëndrim pohues, me pretendimin se në tabelat dhe sinjalistikën e rrugëve, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruhen edhe në greqisht, pasi sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë.

Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›