E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat i grabisin 2.5 milionë lekë kambistit

Autori i Lajmit: red.
Goditet me mjete të forta dhe i rrëmbehen lekët kambistit 44- vjeçar, banues në lagjen “Kongresi i Elbasanit”. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur persona, ende të paidentifikuar nga policia, kanë plagosur me mjete të forta Arben Kovaçin dhe më pas i kanë rrëmbyer këtij të fundit 2.500.000 lekë. Agresorët janë larguar në drejtim të paditur dhe ende nuk është bërë identifikimi për kapjen e tyre. 44-vjeçari është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit pasi ishte dëmtuar rëndë. Aktualisht, sipas burimeve spitalore, 44-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Burime të policisë lokale bëjnë me dije se paratë e të dëmtuarit kanë qenë në kasetën plastike të çiklomotorit, pronë e të dëmtuarit. Kaseta është shkatërruar gjatë marrjes së parave nga autorët. Ndaj autorëve rëndon akuza “Vjedhje me dhunë”, e parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal. Materialet e dokumentuara iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme hetimore.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›