E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-thana rekord pritjesh, 40 mijë vizitorë

Autori i Lajmit: red.
Mijëra turistë janë futur nga Qafë-thana në vendin tonë, të tërhequr më shumë nga historia e vonë e diktaturës, por edhe nga natyra e paprekur dhe vendet piktoreske me peizazh të rrallë dhe objekte të shumta të antikitetit dhe prehistorisë. Brenda një muaji, nga nisja e sezonit veror, kjo pikë kufitare ka pritur numrin më të madh të shtetasve të huaj që kanë zbuluar më në fund Shqipërinë për të kaluar pushime verore në bregdet, por edhe në pikat turistike malore. Turistë të shumtë nga shtete të ndryshme si rrallëherë këtë vit janë dyndur për të vizituar vendin tonë në sezon vere, nisur nga plazhet mahnitëse. Kjo konfirmohet nga autoritetet doganore, sipas të cilave, vetëm nga Qafë-thana, me nisjen e sezonit, kanë hyrë 40 mijë shtetas të huaj. Mes të ardhurve nga larg kanë dominuar turistët çekë, që kanë zënë edhe numrin më të madh të turistëve të huaj, edhe pse pritej që këtë vit shumë shtetas maqedonas, për shkak të afërsisë kufitare, të kalonin pushimet në vendin tonë. Edhe pse sipas të dhënave nga kjo pikë doganore ka një shtim të interesit për të ardhur në Shqipëri, nga ana e shtetasve maqedonas, krahasuar me një vit më parë, ajo që ka bërë përshtypje ka qenë fakti se evropianët po preferojnë gjithnjë e më shumë të shohin dhe prekin nga afër një vend të pozicionuar disi larg, por që ka mbetur me natyrë magjepsëse për ata turistë që duan t u largohen zhurmave, rutinës dhe ndërtesave gjigante. Kështu, siç deklaron drejtori i Doganës së Qafë-thanës, Jaçe Hysolli, është vënë re se këtë vit ka një shtim të kalimeve ditore në hyrje të shtetasve të huaj. Të paktën 2500 turistë vijnë çdo ditë nga kjo doganë, ku është shtuar fluksi ndjeshëm me shtetas gjermanë, austriakë, çekë, sllovakë, holandezë, anglezë, maqedonas dhe, pa dyshim, dhe shtetas të Kosovës që vijnë pothuajse çdo vit nga ky vendkalim, duke zgjedhur pushimet në vendin tonë. Siç konfirmohet nga ana e doganës, pjesa dominuese e shtetasve të huaj që do të zhvillojnë turizmin në vendin tonë për këtë vit, kanë ardhur për herë të parë. Sipas deklarimeve të turistëve, ajo që i ka tërhequr më shumë është e kaluara komuniste në izolim të plotë, por edhe larmia që ofron vendi ynë si një kombinim i përsosur mes së vjetrës dhe së resë, por edhe fakti se ka një peizazh të veçantë. Shumë nga pushuesit e huaj kanë dëgjuar për Sarandën, Vlorën, Durrësin, Velipojën dhe Shëngjinin, ku dhe kanë vendosur të kalojnë pushimet e kësaj vere. Ndërkohë, grupet me turistë të huaj, kanë zgjedhur më shumë vendin tonë për të bërë një tur disaditor në disa nga rrethet për të gërshetuar plazhin me pikat turistike malore. Por ndërsa turistët e huaj kanë ardhur në vendin tonë, ajo që nga ana e tyre pretendohet se mungon është publiciteti që duhet t u bëhet pikave turistike dhe vendeve të vizitueshme.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›