E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza: “Makina e Trebickës asnjë defekt”

Autori i Lajmit: red.
Fuoristrada me të cilën humbi jetën biznesmeni Kosta Trebicka është e rregullt, si nga ana teknike, ashtu dhe nga ajo xhenerike. Ky ka qenë konkluzioni që kanë arritur ekspertët xhenerikë, pas ekspertizës së parë të kryer mjetit tip “Fuoristradë” me të cilën humbi jetën denoncuesi i trafikut të dyshuar të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Një ekpert autoteknik i specializuar, nga Virxhinia e SHBA, së bashku me një hetues tjetër të palës amerikane, që pak ditë më parë kishte kryer verifikimet e tij në vendngjarje dhe mori takim edhe me kryeprokuroren Ina Rama, kanë qenë pjesëtarët e vetëm të hetimit amerikan për kontrollin autoteknik. Gjithashtu, ekspertiza ka provuar se në mjetin me të cilin ka udhëtuar viktima, nuk janë gjetur as shenja gjaku.
Ekspertiza
Makina me të cilën u aksidentua Kosta Trebicka nuk ka pasur asnjë defekt teknik dhe as xhenerik. Në mjetin e aksidentuar nuk është gjetur asnjë shenjë gjaku e viktimës. Këto kanë qenë përfundimet shencore që kanë dalë pas ekspertizës së mjetit me të cilin u aksidentua biznesmeni shqiptaro-amerikan. Për gati 3 orë, është kryer një ekspertim i pavarur dhe për llogari si të hetimeve të palës amerikane edhe asaj shqiptare në automjetin e Kosta Trebickës, i cili gjatë këtyre ditëve mbahej në kushte të rrepta sigurie në një garazh të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Korçës. Burime nga policia bënë të ditur se nga pala shqiptare kanë marrë pjesë në kontrollin e mjetit personat që përbëjnë bërthamën e këtij hetimi.
Ekspertët amerikanë
Dy ekspertët amerikanë panë punuar në praninë e kryeprokurorit të Korçës, Përparim Vukaj, dhe dy prokurorëve të tjerë që ai ka në varësi dhe që po ndjekin çështjen, si dhe të ekspertëve kriminalistë të policisë rajonale të Korçës dhe titullarëve të kësaj policie. Një këqyrje fizike e imtësishme e automjettit u krye nga të dy palët që kryen këtë ekspertim, dhe secila prej tyre mbajti të dokumentuar të dhënat. Edhe nga pala shqiptare ka qenë i pranishëm në këtë verifikim të mjetit një ekspert autoteknik, që nuk është pjesë e strukturave shtetërore të policisë. Në garazhin ku është mbajtur automjeti gjatë këtyre ditëve pas ngjarjes tragjike, janë kryer edhe matje të shumta, kontrolle të pjesëve të makinës dhe të vendeve ku ajo ka pasur shenja dëmtimesh, fotografime dhe filmime në funksion të hetimit që ka ndërmarrë si policia dhe Prokuroria Shqiptare edhe pala amerikane. Kontrolli autoteknik dhe verifikim i automjetit me gjurmët që ai mbart nga vendi i ngjarjes, pavarësisht se janë kryer për llogari të dy palëve, asaj shqiptare dhe amerikane, kanë vazhduar paralelisht dhe në të njëjtën kohë. Në përfundim të këtyre verifikimeve, është vendosur që të bëhet edhe një provë në lëvizje e automjetit.

Ekspertiza e makinës së biznesmenit
Makina e Kosta Trebickës u nxor nga garazhi dje dhe me të janë kryer dy prova në lëvizje në një distancë jo më të gjatë se 100 metra dhe me një lloj pjerrësie të rrugës në ambientet e brendshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Korçës. Burime nga policia bënë të ditur se më pas automjeti u mbyll sërish në garazh, ndërsa ekspertët dhe personat që morën pjesë në këtë kontroll u përqendruan në hartimin e procesverbaleve dhe të firmosjes së tyre me konkluzionet e arritura. Burime pranë grupit hetimor bënë të ditur dje se janë kryer dy ekspertime autoteknike të automjetit, si nga përfaqësuesit e grupit hetimor shqiptar edhe ekspertët amerikanë. Sipas të dhënave ende të rezervuara, pas kryerjes së këtij kontrolli autoteknik, pohuan se automjeti me të cilin udhëtonte Kosta Trebicka ka rezultuar i rregullt, për sa i përket anës teknike dhe pjesëve xhenerike të tij. Sipas të dhënave, automjeti me të cilën ka udhëtuar Kosta Trebicka nuk rezulton me dëmtime teknike apo të pjesëve xhenerike që të përforcojnë provat për një aksident nga shkaqe teknike të tij.

Eksperti amerikan nis këqyrjen e vendit të ngjarjes
Eksperti i ardhur dy ditë më parë nga Amerika posaçërisht për të ndihmuar në hetimet për zbardhjen e vdekjes së Kosta Trebickës, mbërriti në Korçë. Pas mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, Kevin Teter do të bëjë ekzaminimin autoteknik të makinës së Trebickës.
Eksperti amerikan, Kevin Teter, udhëtoi sot drejt Voskopojës. Ai mbërriti dje nga Virxhinia e SHBA për të marrë pjesë në hetimin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka më 12 shtator të këtij viti. I shoqëruar nga një koleg i tij ekspert, nga një koleg i pranishëm që në ditën e parë të hetimeve, Kevin Teter qëndroi për pak kohë në vendin ku ndodhi aksidenti, në zonën e Lekasit në Korçë. Ata janë mjaftuar duke i bërë një këqyrje vendit ku është gjetur Trebicka i vdekur, i cili vazhdon të jetë i etiketuar, por pa masa sigurie. Më pas janë shoqëruar drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Korçës, ku ekspertët do të bëjnë ekzaminimin autoteknik të makinës tip “Nisan” me targa TR 8843 J, në të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka. Kevin Teter, eksperti ligjor i aksidenteve automobilistike dhe i rindërtimit të skenave të aksidenteve i shtetit të Virxhinias, do të saktësojë nëse automjeti ishte apo jo i rregullt teknikisht apo ka pasur ndonjë ndërhyrje të jashtme.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›