E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollano gjyq kundër Qeverisë

 

Fatos Mahmutaj

Qeveria rrëzon në Kushtetuese Bashkinë e Himarës, duke e detyruar të administrojë aksionet e shoqërisë së ujësjellësit dhe kanalizimeve në këtë qytet. Në procesin e shqyrtuar në Kushtetuese, Këshilli i Bashkisë së Himarës kishte kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të VKM 660, datë 12 shtator 2007, i cili bën fjalë për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore. Palë e interesuar në këtë proces ishte Këshilli i Ministrave, ndërsa procesi u zhvillua në mungesë të palës kërkuese. Në vendimin e shpallur dje, gjykata argumentoi se VKM e kundërshtuar parashikon se kur shoqëria e ujësjellësve dhe kanalizimeve mbulon më shumë se një njësi qeverisjeje vendore, bazuar në shitjen me pakicë, në marrëdhëniet tregtare me përdoruesit finalë, aksionet e shoqërisë që transferohen, u kalojnë njësive të qeverisjes vendore përkatëse në bashkëpronësi. Pjesa takuese e aksioneve të çdo njësie është në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë së asaj njësie, që mbulohet nga shoqëria e ujësjellësve dhe kanalizimeve. Ndërkohë Bashkia e Himarës, e cila drejtohet nga Vasil Bollano, në kërkesën e paraqitur me shkrim ka pretenduar në Kushtetuese se VKM bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi e ka detyruar Bashkinë e Himarës të bëhet aksionere në një shoqëri anonime kundër vullnetit të saj. Ndërkohë, sipas tyre, liria e veprimtarisë ekonomike është e garantuar me ligj. Më tej, sipas Bashkisë së Himarës, VKM-ja është në kundërshtim me Kushtetutën, e cila parashikon barazinë para ligjit, pasi kriteri “banorë për njësi vendore”, i përdorur për të përcaktuar numrin e aksioneve që i takojnë një njësie të qeverisjes vendore nuk është kriter ekonomik. Bashkia e Himarës ka pretenduar se VKM-ja e ka detyruar të bëhet aksionere në një shoqëri anonime jashtë vullnetit të saj, ndërkohë që liria e veprimtarisë ekonomike e parashikuar nga neni 11 i Kushtetutës i krijon mundësinë personave fizikë dhe juridikë, që sipas vlerësimit të tyre, të hyjnë ose jo në marrëveshje të ndryshme ekonomike ose tregtare. Ndërkohë, qeveria ka kërkuar rrëzimin e padisë së Bashkisë Himarë, pasi VKM nuk ka tejkaluar ndonjë nga kufizimet që mund të ketë vendosur ligji i vitit 2001 për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore. Më tej pretendohet se rregullimet e realizuara nga qeveria përmes këtij vendimi janë kryer në kuadër të rezervës ligjore absolute, me qëllim zbatimin e urdhërimeve ligjore. Në fund Këshilli i Ministrave pohon se kufizimet që mund të jenë vendosur nga ligji nuk vlerësohen nga pikëpamja e kushtetutshmërisë, për shkak të kalimit të më shumë se 3 vjetëve nga hyrja në fuqi të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›