E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Njerëzit e PD kërcënuan komisionerët e PS-së në Kombinat

 

Kandidati i PS-së për deputet në qarkun e Tiranës, Sajmir Tahiri, tha dje se “në 12 qendra votimi vëzhguesit e PS-së janë larguar forcërisht dhe nuk janë lejuar më të vëzhgojnë procesin”. Tahiri kërcënoi se do bëjë kallëzime penale. Kandidati i PS-së për deputet në qarkun e Tiranës, Sajmir Tahiri, tha dje gjatë një konference për shtyp, se “në 12 qendra votimi vëzhguesit e PS-së janë larguar forcërisht dhe nuk janë lejuar më të vëzhgojnë procesin zgjedhor, duke cenuar kështu në thelb integritetin e procesit të votimit dhe të drejtën e PS për të monitoruar me vëzhguesit e saj procesin e votimit në këto qendra”. Tahiri bëri të ditur se do të dorëzojë në organin e akuzës kallëzim penal për çdo një prej atyre personave që ndaluan vëzhguesit e PS për të monitoruar procesin e votimit. Kandidati socialist për deputet në qarkun e Tiranës tregoi disa foto që tregonin civilë dhe njerëz me uniformë që qëndronin në qendrat e votimit në lagjen “Kombinat”. “Në emër të PS-së do të dorëzoj në Prokurori një kallëzim penal për këta persona, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga çdo detyrë publike, të paguar me taksat e qytetarëve si dhe fillimin e ndjekjes penale për dhunën e ushtruar ndaj zgjedhësve, komisionerëve dhe vëzhguesve të PS-së”, tha Tahiri. Kandidati socialist “paralajmëroi bandën e kriminelëve dhe manipulatorëve në qeveri dhe në pushtet, të cilët edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qytetarët e thjeshtë, të ndalojnë menjëherë çdo akt të paligjshëm dhe represiv, duke i siguruar se ligji do peshojë me të gjithë forcën mbi të gjithë ata që kanë guxuar apo ende guxojnë të kthejnë Shqipërinë në kohën e frikës e terrorit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›