E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 10 dëshmitarë për vrasjen e policëve

 

TIRANE – Pas 4 seancash të shtyra për shkak të problemeve me avokatët mbrojtës, Gjykata për Krimet e Rënda vazhdoi dje gjykimin në ngarkim të Afrim Hasanajt me një avokat të caktuar nga gjykata. I akuzuari për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Shënmri të Kukësit, kërkoi dje sërish shtyrjen e seancës. Sipas tij, ai nuk ishte dakord me avokatin kryesisht, pasi familja i kishte gjetur një avokat, i cili duhet të ishte paraqitur dje në seancë. Gjykata nuk pranoi një tjetër shtyrje të seancës, pasi për të njëjtin pretendim seanca ishte shtyrë katër herë me radhë. Pasi gjykata përligji fillimin e shqyrtimit gjyqësor të dosjes në ngarkim të Hasanajt, Prokuroria kërkoi të fillojë me pyetjen e dëshmitarëve. Sipas organit të akuzës, në seancën e ardhshme duhet të paraqiten para gjykatës 10 dëshmitarë, të cilët kanë dijeni mbi ngjarjen. Mësohet se në total numri i dëshmitarëve të kësaj dosjeje është 21 persona. Ngjarja e rëndë ku humbën jetën dy punonjësit e policisë së Kukësit, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramazan Hilaj, u shënua në 16 mars të këtij viti në fshatin Shënmri. Sipas organit të akuzës, motivi që ka shtyrë Hasanajn në aktin kriminal të vrasjes së dy efektivëve të policisë, ishte një kallëzim i bërë nga ata për të pandehurin Hasanaj pak ditë para ngjarjes. Hasanaj akuzohet nga Prokuroria për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, “shkatërrimit të pronës”, “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, vepra për të cilat ligji i parashikon deri në dënim maksimal.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›