E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardiani u vetëvra nga depresioni

 

TIRANE – Hetimet për vetëvrasjen e gardianit të burgut të Shën-Kollit, Guxim Gjeçaj, kanë arritur në përfundimin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e problemeve depresive të 38-vjeçarit. Burimet nga policia e kryeqytetit thanë se kanë hetuar ngjarjen e ndodhur të mërkurën në Tiranë. Pranë stacionit elektrik në rrugën “Jordan Misja”, në orën 18:00, në banesën e tij ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë shtetasi Guxim Qazim Gjeçaj, 38 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, me punë oficer në burgun e Shën Kollit, Lezhë. “Nga hetimi paraprak rezultoi se personi në fjalë ka vrarë veten me armën e institucionit ku punonte. Sipas hetimeve të deritanishme, 38-vjeçari vuante nga depresioni nervor”, thanë burimet nga policia e kryeqytetit. Sipas tyre, hetuesit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar një pistoletë tip “TT”, model 54, një krëhër me 6 fishekë model 54 dhe një predhë. Sipas policisë, trupi i pajetë i 38-vjeçarit është dërguar për verifikime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në kryeqytet, ku do të realizohet edhe autopsia mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›