Fullani: Kriza do rrisë papunësinë
Fabiola Çela
Kriza ekonomike ende nuk është kaluar. Si pasojë e krizës globale ekonomike pritet të ketë një rritje të nivelit të papunësisë në vend. Niveli i kredidhënies nga bankat vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Rritja ekonomikë këtë vit do të jetë më e ulët se parashikimi. Në rrezik janë edhe realizimi i të ardhurave publike, sipas planit të buxhetit për vitin 2009. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili edhe pse me tone optimiste ka lënë të nënkuptohet se ekonomia shqiptare ende nuk e ka kapërcyer krizën globale ekonomike.
Raporti
Për të dytin vit radhazi Banka e Shqipërisë ka përgatitur Raportin e Stabilitetit Financiar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka paraqitur dje vlerësimin e këtij raporti. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, shumë qytetarë të trembur nga kriza globale tërhoqën paratë që kishin depozituar në bankat e nivelit të dytë në vend. Bankat nga ana tjetër ka shtrënguar ndjeshëm kushtet e dhënies së kredisë. Në një situatë të tillë, Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet në treg. Por sipas analizës së fundit të ekonomistëve të Bankës së Shqipërisë, tani situata paraqitet më ndryshe. “Mbështetur në treguesit financiarë të sektorit bankar, si edhe në madhësinë e luhatshmërisë së tyre sipas analizave stress-test, sektori bankar mbetet i qëndrueshëm dhe rezistenca e tij ndaj rreziqeve të përmendura më sipër vlerësohet e lartë. Të dhënat e fundit flasin për një rikthim të besimit të publikut, i pasqyruar në rritjen e depozitave në sistemin bankar. Me rritje pasqyrohet edhe kreditimi i ekonomisë, ndërkohë që edhe struktura lekë valutë në bilancet e bankave ka njohur përmirësim”, ka deklaruar dje guvernatori i BSH-së Fullani.
Rreziqet
Por kriza ende nuk ka kaluar. Si pasojë e krizës, rritja ekonomike për këtë vit do të jetë më e ulët se parashikimi. Për shumë qytetarë, vendi i tyre i punës do të jetë i pasigurt. “Pritjet për ngadalësimin e ekonomisë po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve”, ka deklaruar dje Fullani. Në këto rrethane kush ka marrë kredi do ta ketë të vështirë për të paguar këstet mujore të kredisë. Kjo do të thotë se cilësia e portofolit të kredisë është e rrezikuar. Gjithashtu pritet një ngadalësim i ritmit të rritjes së depozitave të publikut. Në rrezik janë edhe realizimi i të ardhurave sipas planit. “Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009”, është shprehur dje Guvernatori.
Efektet e krizës
Ngadalësim i aktivitetit ekonomik të vendit. Pritjet për ngadalësimin e ekonomisë po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009. Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar Situata më e vështirë e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar si edhe në tregun e huaj, po shoqërohet me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale në një periudhë afatmesme. Realizimi i shpenzimeve publike duhet të përshtatet me nivelin e realizimit faktik të të ardhurave Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar. Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare.