E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano, në ndjekje penale

"Ndjekje penale për kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano". Ky ishte thelbi i të gjitha deklaratave të parlamentarëve shqiptarë, të cilët kërkuan ndërhyrjen e Presidentit dhe të Kryeministrit për t‘u dhënë fund thirrjeve antikombëtare të kryetarit të Bashkisë së Himarës. Shkak për këtë qëndrim të deputetëve të Kuvendit janë bërë deklaratat e disa ditëve më parë të OMONIA-s, kryetar i së cilës është Bollano, që ka kërkuar nga Athina që të mos ratifikojë MSA me Shqipërinë, pa u realizuar më parë kushtet e vëna nga OMONIA. Heshtja e qeverisë për këto deklarata nuk i ka penguar deputetët e Kuvendit, të majtë dhe të djathtë, të artikulojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se do të nisin protestat para Bashkisë së Himarës, për të kërkuar largimin e kryetarit Bollano. I pari që ngriti zërin në sallën e Kuvendit ishte deputeti Nikollaq Neranxi. Me tone të ashpra dhe kritike për qeverinë, Neranxi kërkoi që Presidenti dhe Kryeministri të reagojnë ndaj qëndrimeve dhe deklaratave të Bollanos. Sipas deputetit Neranxi, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, po e shkatërron këtë vend, duke u shkaktuar shumë probleme, ndërkohë që aty është zgjedhur për t‘i zgjidhur ato. "Në Himarë, po grabiten dokumente dhe vendime të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga Vasil Bollano", u shpreh Neranxi. Sipas tij, ky person me rrezikshmëri të lartë për interesat e vendit, po e fut atë krahinë, në një qorrsokak të errët, po e përdor për interesa personale dhe për qëllime ekstremistësh, të cilët fatkeqësisht gjenden dhe veprojnë si në Himarë, në qoshka të Greqisë dhe në Tiranë. "Në Himarë po rrënjoset ideja se kjo është toka e zgjedhur për sherr dhe për bela. Këtë filozofi po e mbjell veprimtari politik me emrin Vasil Bollano, i cili për fatkeqësi të himarjotëve, banorëve të vendit tim, po u ndjell atyre ditë të vështira dhe me vonesë të pakufishme zhvillimi", u shpreh Neranxi. Për deputetin e LSI-së, ky njeri nuk po kryen detyrën e tij ligjore, ndaj për këtë arsye, ai i ka propozuar Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për verifikimin e korrupsionit dhe aferave të mëdha me tokat e bregdetit të Jugut dhe sidomos në zonën e Bashkisë së Himarës, ku përfshihen shtatë fshatra. Deklarata e deputetit Neranxi është mbështetur edhe nga deputeti i PDK-së, Frrok Gjini. Ai i ka vlerësuar si antishqiptare dhe antikombëtare deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Gjini kritikoi qëndrimin e PD-së dhe të PS-së, të cilat po e kalojnë në heshtje deklaratën e Bollanos, e cila kërkon të mos ratifikohet marrëveshja e MSA mes Shqipërisë dhe Greqisë, pa u plotësuar disa kushte të këtyre individëve, që shquhen për politika antishqiptare. Deputeti Gjini i ka kërkuar Kryeministrit që të mbajë një qëndrim të prerë dhe të mos pranojë asnjë lloj takimi me këtë individ, i cili punon kundër shqiptarëve. "Kryeministri e ka në dorë", u shpreh deputeti Gjini, "por ai i ka kërkuar edhe Parlamentit që të reflektojë ndaj kësaj çështjeje me ndonjë rezolutë dhe këtë person ta çojë para organeve të drejtësisë".

Socialistët mbështesin qëndrimin e kolegëve të tyre në Parlament

Braçe: Bollano mbrohet nga Berisha, ai do ta bëjë deputet

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, u shpreh se për deklaratat e bëra nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, fajtor është Kryeministri, Sali Berisha, i cili hesht duke i lënë atij dorë të lirë. Braçe u shpreh se Kryeministri e mbron bashkiakun e Himarës, pasi e ka kandidat për deputet në këtë zonë, i cili do të jetë kundër PBDNJ-së. Sipas deputetit të PS-së, Erjon Braçe, kreu i qeverisë nuk e ka Bollanon vetëm njërin për ofiqarëve të shumtë të këtij shteti, që kur shkel ligjin, shkarkohet, por e ka mbështetje politike ndaj dhe e mbron atë. Kjo mbrojtje, sipas nënkryetarit të grupit të PS-së, është aq e madhe, sa kreu i qeverisë pranon të gjitha deklaratat që Bollano bën, duke mos kërkuar shkarkimin e tij. Ashtu si Partia Socialiste, kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është pozicionuar dje edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi. Ai ka shkuar më tej me qëndrimin e tij, duke kërkuar ndjekje penale ndaj është shprehur se "çdo titullar, qoftë edhe i një komune, kur bën deklarata të pamatura, do të përballet me ligjin". Sipas Gjinushit, minimalja që mund të kërkohej në këtë rast ndaj Bollanos është shkarkimin i tij, pasi me qëndrimet që po mban dhe ka mbajtur, ai nuk po kryen misionin për të cilin e ka zgjedhur popullsia e Himarës. Opozita, vazhdimisht është shprehur kundër qëndrimeve dhe deklaratave të mbajtura nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Bollano, por zëri i tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër. Ata i kanë kërkuar Kryeministrit Berisha, që të reagojë ligjërisht ndaj qëndrimeve të tij, duke kërkuar dhe shkarkimin nga detyra që mban. Shkak për këto qëndrime janë bërë edhe veprimet e tij muajt e fundit, i cili urdhëroi heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, në zonën e Himarës. Ky veprim po ndiqet penalisht nga Gjykata e Vlorës.

PD

Bujar Leskaj: Vasili, një mbeturinë e së kaluarës

Deputetët e mazhorancës kritikuan qëndrimin e mbajtur nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, nëpërmjet një shprehje klasike, e vlerësoi ashtu si ai e ndien, kryetarin e Bashkisë së Himarës. "Nacionalizmi është strofulla e fundit e maskarenjve", u shpreh Leskaj. Kjo shprehje, shton ai, në rastin më të mirë i takon Bollanos dhe pasuesve të tij. Më tej, ai thekson se "për mendimin tim, Bollano është një mbeturinë, rudiment i së kaluarës, i qarqeve nacionaliste ekstremiste greke, nuk gjen terren në Shqipëri, në këtë klimë kaq të mirë marrëdhëniesh miqësore mes dy vendeve". Ai ka kërkuar nga e gjithë shoqëria shqiptare që figura e Bollanos të demaskohet, gjithashtu bëri thirrje që politika shqiptare të bëjë më shumë. Konstatim ky i drejtë nga ana e deputetit të PD-së, pasi politika vërtet nuk ka bërë aq sa duhet për të ndëshkuar qëndrime të Bollanos dhe pasuesve të tij, të cilët muajt e fundit i kanë shpeshtuar deklaratat e tyre antishqiptare.

Deputeti

Ngjela: Bollano ka hyrë në një lojë të rrezikshme

Si gjithmonë, kur bëhet fjalë për të mbrojtur çështjen kombëtare, deputeti Spartak Ngjela nuk heziton të shprehë qëndrimin e tij kritik, duke e bazuar edhe në argumente ligjore. Duke u shprehur mosbesues se këtë çështje mund ta zgjidhë kjo qeveri, avokati kërkoi që të reagojnë vetë qytetarët. Vasil Bollano, tha Ngjela, është i lirë të drejtojë kë të dojë si individ, por kur bëhet fjalë për shqiptarët, do ta ketë pisk, pasi ka hyrë në një lojë të rrezikshme, që ka një shekull e cila ka krijuar perkusione negative për njerëz të tillë. "Kush e paguan atë është i detyruar ta zgjidhë shteti, por nëse shteti nuk merr masa ndaj një njeriu të tillë politik, që nuk ka asnjë lidhje me historinë dhe shtetin tonë, individët duhet t‘i tregojnë vendin, dhe shumë shpejt do t‘ia tregojnë", u shpreh Ngjela. Deputeti i pavarur nuk beson se Kryeministri do ta shkarkojë Bollanon, ndaj ai thekson se Berisha nuk po punon për shqiptarët, por shqiptarët ta zgjidhin vetë problemin e tyre.

LSI

Xhufi: Kryebashkiaku i Himarës, ka shkelur Kushtetutën

Kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës dhe deklaratave të tij antishqiptare, është shprehur dje edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Në deklaratën e tij, deputeti Xhufi u shpreh se kryetari i Bashkisë së Himarës në mënyrë të përsëritur shkel Kushtetutën e Shqipërisë, parimet bazë si një shtet unitar. Sipas deputetit të LSI-së, Bollano ka bërë thirrje të hapur për copëtimin e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë, i ka hedhur benzinë zjarrit, duke nxitur urrejtjen kombëtare. Të gjitha këto shkelje, tha Xhufi, janë të parashikuara në nene të veçanta në Kushtetutë dhe në Kodin Penal, ndaj shteti shqiptar duhet të reagojë, në zbatim të ligjeve të tij, ndaj çdo shtetasi apo zyrtari që i shkel ato. Deputeti Xhufi, i cili vjen dhe nga fusha e historisë, e ka ngritur vazhdimisht zërin ndaj deklaratave të tilla, duke i quajtur pretendime të gabuara dhe dashakeqëse, me një qëllim të vetëm për të krijuar situata të pakëndshme dhe tension në vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›