LSI dënon aktin e bojkotit të socialistëve
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje keqardhje për reagimin e Partisë Socialiste dhe të Grupit të saj parlamentar për t‘u larguar nga parlamenti. Duke mos i lënë kështu hapësirë diskutimit parlamentar mbi amendimet për Kodin e Zgjedhjeve pas kthimit të tij për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës. Kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, vlerësoi se bojkoti i Parlamentit nuk është një mënyrë e sjelljes konstruktive parlamentare. Aq më tepër, tha ai, kur bëhet fjalë për përmirësime të Kodit Zgjedhor, i cili, tashmë është evidentuar që ka probleme të mëdha me standardet e pranuara për zgjedhjet. "Kryesisht duke shkelur parimin e gjithëpërfshirjes dhe barazinë e konkurrentëve në zgjedhje", u shpreh Haxhinasto. Sipas tij, reflektimi i PS-së për një çështje të tillë është kërkuar jo vetëm nga LSI-ja dhe shumë parti të tjera të përjashtuara nga administrimi i procesit zgjedhor, por edhe nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, nga Partia e Socialistëve Evropianë dhe Grupi Socialist në Parlamentin Evropian. Partia e dytë e së majtës i kërkon socialistëve të reflektojnë, duke lënë mënjanë irracionalitetin. "Duke marrë përgjegjësitë e saj politike përpara shqiptarëve në mënyrë që të përmirësohen sa më parë defektet që ka Kodi Zgjedhor dhe të garantohet që në 2009, vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar parimet dhe standardet ndërkombëtare për zhvillimin e tyre", kërkoi Haxhinasto. Në të njëjtën linjë, në sallën e Parlamentit është prononcuar dje zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi. Ai bëri thirrje gjithashtu për reflektim dhe gjetjen e një konsensusi sa i takon gjithëpërfshirjes në Kodin e ri Zgjedhor. Deri më tani, mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ende nuk ka një komunikim qoftë edhe në distancë për të arritur në një kompromis sa i takon ligjit elektoral.