Patozi: Qëndrimi i socialistëve, i pakuptimtë
Pas vendimit të marrë nga PS-ja për të mos votuar asnjë projektligj në Kuvend, pa u miratuar Kodi Zgjedhor, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Sipas tij, protesta që bën opozita nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën dhe drejtohet në boshllëk. Duke rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e mazhorancës pro Kodit të ri Elektoral, Patozi, nga foltorja e Kuvendit tha se "dihet botërisht se ne e kemi votuar bashkërisht Kodin dhe nuk kemi pasur asnjë divergjencë për ta kaluar atë". Por ai ka shtuar se "në njëfarë mënyre, kemi pasur qëndrim të përbashkët me PS-në, lidhur me kthimin e tij në Kuvend, duke e konsideruar një gabim që nuk duhet të ndodhte dhe një lëvizje të paqëlluar ose të shmangshme të Presidentit të Republikës. Patosi i ka kujtuar PS-së se ata kanë vendosur bashkërisht me shumicë votash në Kuvend edhe për ringritjen e komisionit për shqyrtimin e dekretit të Presidentit, si e vetmja formë që lejonte rregullorja për kapërcimin e situatës. Duke informuar deputetët për punën e bërë deri më tani nga ky komision, Patozi tha se është zhvilluar vetëm një mbledhje e komisionit, i cili ka ngarkuar ekspertët për ndryshimet e nevojshme që kërkohen, për ta votuar kodin bashkërisht këtu. Pra u shpreh ai "kemi një rakordancë të plotë dhe unë nuk e kuptoj se kujt i drejtohet protesta e grupit parlamentar të PS-së, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën". Diskutimi për Kodin Zgjedhor, mes mazhorancës dhe opozitës, ka nisur sërish pas kthimit të dekretit nga Presidenti i Republikës. Kreu i shtetit e gjeti Kodin e ri të pa pajtuar me Kushtetutën, në dy nene të tij, të cilat kishin të bëjnë me caktimin e datës së zgjedhjeve, nëntë muaj përpara, kohë e cila ka kaluar tashmë, ndaj i kërkoi Parlamentit ta rishikonte edhe një herë atë.