Skandali, përfaqësitë diplomatike në vendet e rëndësishme, pa ambasadorë
Diplomacia shqiptare është përfshirë në një skandal të madh, ku përfaqësitë diplomatike, në vende të ndryshme, kanë mbetur pa ambasadorë. Qeveria shqiptare duket se është e pazonja për të emëruar diplomatët e saj, kjo pasi marrëdhëniet mes saj dhe Presidentit, i cili i dekreton këta zyrtarë, janë të ngrira. Mungesa e diplomatëve kryesorë në ambasadat tona jashtë vendit është ngritur si një shqetësim kryesor dje në sallën e Kuvendit nga deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi. Sipas deputetit socialist, mungesa e këtyre diplomatëve është një handikap shumë i madh në marrëdhëniet dypalëshe me çdo vend, sepse diplomacia në kuptimin e përgjithshëm të fjalës është marrëdhënie e ndërsjellët, është fytyra e shtetit në relacionet reciproke. Më pas, një nga një Minxhozi ka renditur vendet ku Shqipëria është pa ambasador. Ai e ka nisur nga rajoni dhe më konkretisht nga Kosova. "Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka ambasador në Kosovë, dhe pse është ndër vendet që e para që ka njohur pavarësinë e shtetit më të ri. Janë 15 vende që në Prishtinë kanë akredituar ambasadorët e tyre dhe mungon emri i Shqipërisë. Kjo është e pafalshme. Është paradoksale dhe nuk është aspak në interesin kombëtar", është shprehur Minxhozi. Duke kritikuar qëndrimin e qeverisë, deputeti i PS-së tha se Kryeministri Berisha në vitin 2007 deklaroi që pas njohjes së pavarësisë, menjëherë do të caktonte ambasadorin, gjë e cila ende nuk ka ndodhur. Megjithëse pavarësia është njohur, ambasadori ynë ende nuk ka vajtur atje. Duke e mbajtur argumentin e tij lidhur me Kosovën, deputeti i PS-së tha se "si është e mundur që ne lëmë dy vjet e gjysmë pa ambasador në Kajro dhe Egjipti është një ndër vendet kryesore që po bën lobing që vendet arabe të mos japin pavarësinë e Kosovës". Po kështu, është shprehur Minxhozi, një ndër fuqitë më të mëdha në botë, Rusia, lihet pa ambasador. Prej 6 muajsh, tha deputeti i PS-së, nuk kemi kryediplomat në Moskë, që kur është kthyer nga kjo detyrë Teodor Laço, dhe pastaj kërkojmë që Rusia të zbutet në qëndrimet e saj ndaj Kosovës. Sipas tij, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një mungesë respekti, ose një mungesë reciprociteti me shtetet përkatëse, por shumë më gjerë, që e paguajmë edhe në çështje që ne jemi shumë të interesuar, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës, siç është lobingu që duhet të bëjmë për këtë vend në mënyrë që ky të futet në rrugën e demokracisë. Minxhozi ka vijuar me tej me gabimet e kësaj qeverie në fushën e diplomacisë, duke theksuar se vetëm këtu te ne ndodh që hapet një ambasadë, por bëhet inaugurimi pa ambasador, ashtu siç ndodhi me Indinë. Gjithashtu, tha deputeti socialist, nuk ka ambasador në Spanjë, pasi ka tre muaj që është larguar ambasadorja. Po kështu, pa kryediplomat është edhe Gjermania, për të cilën themi se është një nga aleatët tanë strategjikë. Ka një vit pa ambasador, sepse Kryeministri propozoi për një titullar të përfaqësisë dhe Presidenti nuk e miratoi këtë. Për inat, u la që në vend që të kemi nivel ambasadorësh, kemi nivel të ngarkuarish me punë. Por, tha Minxhozi, te ne paradokset nuk kanë të mbaruar. Para një viti Presidenti dekreton ambasadorin shqiptar në Japoni, i cili ende nuk ka marrë detyrën e tij, pasi nuk e lë Ministria e Jashtme.