Topalli merr mbështetjen nga Franca për ratifikimin e protokollit të NATO-s
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj dyditore në Francë, ka marrë mbështetjen e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Açoyer, për të përshpejtuar procedurën e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga kjo Asamble. Topalli, në këtë vizite, ka takuar edhe kryetarin e Senatit francez, Gerard Larcher. Ai ka shprehur nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve dhe konkretisht nxitjen e investimeve të biznesit francez në Shqipëri. Nga zyra e shtypit të Kuvendit bëhet e ditur se Topalli dhe kryetari i Senatit, Gerard Larcher, kanë diskutuar mbi nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën politike, bashkëpunimin ekonomik, si dhe për krijimin e garancive për tërheqjen e investitorëve francezë në Shqipëri. Kryetari i Senatit francez vuri në dukje se dy vendet ndajnë të njëjtin vullnet për paqen dhe stabilitetin në rajon. Duke u ndalur te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Larcher është shprehur se shkëmbimet ekonomike nuk janë në nivelin e miqësisë dhe mirëbesimit mes dy vendeve. Ai ka kërkuar nga Tirana të mbështesë investimet franceze, duke përmendur në këtë rast kompaninë e njohur "Clubmed", e cila ka një projekt ambicioz në fushën e turizmit. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit i ka përcjellë kryetarit të Senatit francez, dëshirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, si një ndër mbështetësit kryesorë të çështjes shqiptare, të zhvillojë një vizitë në Tiranë. Duke e vlerësuar shumë të frytshëm këtë takim, Kryetarja Topalli theksoi se "pala shqiptare gjeti një vullnet të mirë nga ana e Francës për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë në fushën ekonomike dhe konkretisht në investimet e biznesit francez në Shqipëri".