E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollëk golash dhe tension në Elbasan

Katër gola nga dy ekipet, një karton i kuq për Flamurtarin, atmosferë a acaruar në fushë mes lojtarëve, tension në bankina, respektim nga ana gjyqtarit Sokol Jareci të vendimit të gjyqtarëve për ta filluar me dhjetë minuta vonesë takimin. Kjo është "lista" e ngjarjeve të prodhuara në "Ruzhdi Bizhuta" në takimin e javës së 15-të, Elbasani-Flamurtari të mbyllur në barazim 2-2.
Kapiteni Skerdi Bejzade realizoi nga pika e bardhë një gol të shpejtë në minutën e 4-t, - goli i shtatë sezonal i "arushës verdheblu" - për t'ia lënë radhën vlonjatit Fjodor Xhafa për të dyfishuar rezultatin në minutën e 10-të për Elbasanin. Goli i dytë i Fjodor Xhafës kundër skuadrës së qytetit të tij dhe i treti sezonal. Më pas skenat provokative të kapitenit të verdhebluve prodhojnë tension mes lojtarit edhe bankinës së Flamurtarit. Minuta të acaruara në fushë, që falë përvojës së gjytarit ndërkombëtar Jareci, nuk tejkalojnë më tej situatën e rënduar. Tri minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Flamurtari gjen golin e shkodranit 21-vjecar Nevian Cani duke shkurtuar diferencën në 2-1. Fraksioni i dytë i lojës nis me kartonin e kuq të Bledion Gugës, që la nga minuta e 55-të me dhjeta lojtarë Flamurtarin. Parimi i përjetshëm në futboll se skuadra që ka lojtarë më pak, bëhet edhe me e rrezikshme, u vërtetua edhe në këtë takim. 21-vjecari Arlindo Rustemi barazoi rezultatin në 2-2 në minutën e 67-të, dukë vulosur edhe përfundimisht rezultatin. Duhet theksuar fakti, se ky është goli i dytë me vlerë pikësh i Rustemit, pas atij në fitoren kundër Dinamos në kryeqytet (0-1) në javën e pestë. Skuadrat ndanë nga një pikë në "Ruzhdi Bizhuta", ndërkohë që në "Flamurtari" në fazën e parë fitoi Elbasani 1-0, pikërisht me golin e Fjodor Xhafës.
Ky ishte edhe barazimi i 45-të midis dy ekipeve në 117 takime historike midis tyre, po aq sa janë edhe fitoret e Elbasanit. Flamurtari nga ana e tij ka arkivuar 44 fitore.
Elbasani-Flamurtari 2-2
15.12.2007, ora 14:00
Stadiumi "Ruzhdi Bizhuta", Elbasan
Gjyqtarë: Jareci, Koreshi-Qirici
Bilanci ndërmjet tyre: 117 ndeshje, 45 fitore Elbasani, 45 barazime, 44 fitore Flamurtari. Golat 134-137

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›