E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolt e nis me hap, thriller për garën e 100 metrave

LONDER - Një debutim soft në Olimpiadën e Londrës për Usain Bolt. Xhamajkani ka fituar baterinë e tij në 100 metra, me një kohë 10.09, duke treguar se e ka përshkruar distancën thuajse me hap. Pas një nisjeje të kontrolluar, rekordmeni i botës e ka përshkruar me një qetësi të jashtëzakonshme, duke mos lënë të kuptohen shumë gjëra, nëse është në formë jo të mirë apo nëse kaq është potenciali i tij këtë herë. Kohën më të mirë në kualifikuese e ka dhënë amerikani Rajan Beili, 9.88, ndërsa janë kualifikuar dhe gjigandët e tjerë si Tajson Gei, Xhastin Gatlin, Asafa Pauell e Johan Blejk. Ky i fundit, i cilësuar nga të gjithë si rivali më i madh i Bolt, ka dhënë kohën 10.00, ndërkohë që amerikani Tajson Gei e ka mbyllur më shpejt se Usain Bolt, duke dhënë kohën 10.08. Një kohë e mirë edhe për Gatlin, 9.97, ndërkohë që Asafa Pauell e ka mbyllur me 10.04. Një çudi e 100-metërshit ka qenë garimi i anglezit Adam Xhemili, një djalosh që është shpallur kampion bote për të rinj, por që ka treguar se mund të matet edhe me gjigandët e garës mbretëreshë në Olimpiadë. Bolt megjithatë mbetet pretendenti kryesor për fitimin e medaljes së artë, ndonëse në krahasim me Pekinin, është nisur në një mënyrë më të lehtë. Megjithatë, stadiumi olimpik i Londrës ka qenë i gjithi i ezauruar për të ndjekur garimin e tij. Dhe xhamajkani nuk zhgënjeu, kreu në fillim gjestet e tij të zakonshme dhe më pas fitoi baterinë. Sot do të jetë gara gjysmëfinale dhe finale, ku sytë e të gjithë botës do të jenë të përqendruar tek njerëzit më të shpejtë të planetit. “E prisja këtë. Garova mirë dhe mezi po pres gjysmëfinalen. Nisja ishte e mirë, humba një hap, por më mirë që ndodhi tani sesa më vonë”, tha Bolt pas garës.
Pistorius
Dita e djeshme në garat e atletikës nisi me solidaritetin ndaj Oskar Pistorius, atleti nga Afrika e Jugut që garon me këmbë me proteza. Insistimi i tij për të marrë pjesë në Olimpiadë preku njerëz e organizata nga e gjithë bota, duke e detyruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të bëjë një lëshim. Pistorius në fund u kualifikuar për në gjysmëfinale në garën e 400 metrave, duke dhënë kohën 45.44, natyrisht, jo në ritmin e tij të zakonshëm. Ai u nis mirë, por i ndezi “moto-rrët”me pak vonesë edhe pse në fund pati një kohë të kënaqshme. Sot do të garojë për gjysmëfinalen, ku do të mungojë kampioni Lashon Merit, i bllokuar pas 250 metrave. Gjithsesi, gara e 400 metrave pritet të jetë një lotari e vërtetë. Kohën më të mirë e dha Xhonatan Borli, një nga dy binjakët e Belgjikës (u kualifikua edhe Kevin), me kohën 44.43. Ndërkohë, në kërcimin me shkop, dy hedhje pozitive, 4.50 metra dhe 4.55, kanë bërë që Jelena Isinbajeva të rikthehet ajo e dikurshmja dhe pretendentja për medaljen e artë. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›