E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadiku: Lugano, një hap i rëndësishëm përpara për mua

Sulmuesi elbasanas, Armando Sadiku, flet para ndeshjes së sotme me Lokarnon, ish-skuadrën e tij. Ai e vlerëson së tepërmi kalimin te Lugano

Këtë të shtunë, sulmuesi shqiptar Armando Sadiku do të ketë përballë ish-ekipin e tij, Lokarnon, takim ky i vlefshëm për javën e dytë në Challenge League të Zvicrës. Emocione dhe kujtime të veçanta nga periudha, kur është aktivizuar me Lokarnon. Këto janë ndjenjat që do ta pushtojnë mbrëmjen e sotme bomberin kuqezi. Por, pavarësisht kësaj, për sulmuesi e Luganos, e rëndësishme do të jetë përqendrimi në fushë dhe lënia mënjanë e emocioneve. Dygolëshi i shënuar ndaj Biel të hënën është pa dyshim një nisje e shkëlqyer e Sadikut me ekipin e tij të ri. Në një intervistë për mediat zvicerane, ai flet për takimin me Lokarnon dhe për momentet që po kalon te ekipi i ri, ku u transferua vetëm pak ditë para se të fillonte kampionati.
Armando, si ndiheni para një ndeshjeje kaq speciale për ju?
Nuk e fsheh se takimi me Lokarnon është shumë i veçantë për mua. Do të jetë një ndjenjë e bukur, sepse do të luaj kundër ish-shokëve të mi.
Çfarë kujtoni nga koha kur luanit me Lokarnon?
Tani jam një lojtar i Luganos, por për ekipin, ku u aktivizova vitin e kaluar, ruaj kujtime të paharrueshme. Gëzoj një respekt jashtëzakonisht të madh për familjen Gilardi. Mund të them se ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen time, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo njerëzore. Nuk mund të harroj pa falënderuar edhe tifozerinë e Lokarnos, që ka qenë me të vërtetë një mbështetje dhe shtysë për mua, që të jepja maksimumin ë çdo takim. Atë klub do ta kem gjithmonë në zemër.
Si ndiheni tani në ekipin tuaj të ri?
Shumë mirë. Më kanë pritur të gjithë mjaft mirë. Jam i kënaqur që jam pjesë e Luganos dhe që do të luaj këtu. Kalimi te ky ekip është me të vërtet një hap para për karrierën time si futbollist.
Si e shikoni derbin e së shtunës?
Takimin ndaj Lokarnos e shoh të vështirë, pasi ata i njoh dhe kanë një grup lojtarësh, të cilët vërtet mund të na hapin shumë probleme. Është e vështirë ta përcaktoj sesi do të dalë kjo sfidë.
Nëse shënoni gol, a do të festoni?
Jo. Kjo vetëm për respekt ndaj ish-ekipit tim.
Çfarë të tha Davide Morandi pas dopietës kundër Biel?
Që duhet të punoj më shumë.
Me largimin e Sadikut nga Lokarno, si e shihni tani të ardhmen e ish-ekipit tuaj?
Kanë një trajner të përgatitur dhe disa lojtarë të rinj mjaft të talentuar. Mendoj se do tia dalin ti arrijnë ato objektiva që ka klubi për të këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›