Lorik Cana projektohet si titullar nga trajneri Petkoviç
Trajneri i ri i Lacios ka besim te mesfushori kuqezi dhe pritet që ta aktivizojë atë që në minuta e parë në kampionat
Nga ANDI TANKU
Duket se me ardhjen e trajnerit Petkoviç në stolin e Lazios, kapiteni i kombëtares sonë, Lorik Cana, mund të zërë një vend titullari për sezonin e ardhshëm. Një gjë është e sigurt: Vladimir Petkoviç ka përmbysur hierarkitë në ekip dhe u ka ndryshuar fatin atyre që kishin statusin e të paprekurit nga formacioni në kohën kur drejtonte Edi Reja. Rasti konkret duket se po ndodh me Lorik Canën, i cili në sezonin e tij të parë ka qenë sistematikisht në stol dhe disa herë është detyruar ti shihte takimet nga tribuna. Por tani ai përfaqëson boshtin, tek i cili trajneri lacial po mbështetet për të ndërtuar projektin e ri të skuadrës. Duket se futbollisti i përfaqësueses sonë është i vetmi në mesfushën e Lacios që e ka të sigurt vendin në 11-shen bazë, pas besimit që gëzon nga ana e trajnerit Petkoviç. Megjithatë, mbetet për tu parë se si do të shkojnë vërtet gjërat për Lorik Canën, i cili mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes.