E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani gjen portier në Shkodër, vjen edhe Fabjol Rexhepi

Një tjetër portier shkodran pritet që ti bashkohet skuadrës së kuqe. Ditën e hënë administratori Paro Laçi mund të mbyllë bisedimet me portierin Rexhepi

Nga MEJDAN ZHIVANI

Një tjetër shkodran pritet që ti bashkohet Partizanit ditën e hënë. Kësaj radhe vjen bëhet fjalë për portierin e dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë, Fabjol Rexhepin. Në sezonin e fundit ai ishte pjesë e Naftëtarit në Kategorinë e Dytë, duke u konsideruar si një ndër pikat më të forta të kuçovarëve. Situata e ditëve të fundit te kjo skuadër, e shoqëruar me probleme të shumta financiare, bëri që të largohen edhe pjesa më e madhe e futbollistëve. E pikërisht nga ky eksod duket se Partizani do të përfitojë jo pak. Menjëherë pas kësaj situate te kuçovarët, Paro Laçi i ka telefonuar shkodranit Rexhepi, duke i kërkuar atij të bëhet pjesë e projektit ambicioz të skuadrës së kuqe, që synon të ngjitet menjëherë në Superligë. Kam pasur një kontakt nëpërmjet telefonit me administratorin e Partizanit, Paro Laçin, i cili më ka kërkuar që të jem pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ardhshëm. Natyrisht që për mua është vlerësim një ofertë e tillë dhe e kam marrë menjëherë në konsideratë. Kështu që ditën e hënë do të jem në Tiranë për të biseduar konkretisht me drejtuesit e Partizanit për kontratën e re, me shpresën se do ta gjejmë akordin. Gjithsesi, më konkretisht, do të flasim ditën e hënë, – ka pohuar për Sportin shqiptar portieri shkodran Fabjol Rexhepi, i cili falënderon me këtë rast gjithë ekipin e Naftëtarit, drejtuesit e tij, por edhe tifozërinë kuçovare për mbështetjen dhe respektin ndaj tij. Rexhepi tani është i lirë edhe nga Vllaznia, që e ka pasur nën kontratë. Konkurrenca e fortë në portën shkodrane ka bërë që ai të zgjedhë për momentin skuadra të ndryshme në Shqipëri dhe në një moment të caktuar për të qenë përsëri aty, pjesë e skuadrës kuqeblu. Ekipi i Partizanit, përveç Rexhepit, ditë më parë pati afruar edhe shkodranin tjetër në portë, Olti Bishanin. Në këtë mënyrë, duket se skuadra e kuqe, për këtë sezon ia ka besuar portën dy shkodranëve. Nuk është risi apo diçka e panjohur për Partizanin, që porta e tij të mbrohet nga shkodranët. Vitë më parë ka qenë edhe Armir Grima si gardian me këtë skuadër, më pas edhe Arjon Mustafa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›