Dinamo, sot i jepet fund seleksionimeve
Përfundon sot, puna për seleksionimin e lojtarëve që mund të jenë pjesë e bluve, trajneri Zhupa shprehet i kënaqur nga puna e bërë prej stafit teknik dinamovit
Nga ANDI TANKU
Punës prej më shumë se dy javësh për seleksionimin e lojtarëve të rinj, që mund të afrohen te Dinamos do ti jepet fund ditën e sotme. Trajneri Zhupa, së bashku me stafin e tij, pas përzgjedhjes objektive, në shërbim të klubit, do të japin edhe verdiktin përfundimtar se kush prej futbollistëve, që janë vëzhguar gjatë kësaj kohe do të jenë pjesë e bluve për vitin e ardhshëm. Ka qenë një punë e lodhshme, pasi oraret kanë qenë të zgjatura dhe temperaturat e larta, nuk janë shumë të favorshme për të kryer seancat stërvitore, për ne si staf dhe lojtarët gjithashtu. Megjithatë jemi të kënaqur, pasi kemi pasur mundësinë tu jepnim një shans të gjithë atyre që kërkojnë të luajnë me Dinamon. Edhe ne si staf kemi marrë një ndjenjë pozitive, ndërkohë që punonim me djem, të cilët kanë dëshirë të luajnë futboll dhe mbi të gjitha, kanë interes të aktivizohen me Dinamon, pavarësisht kategorisë ku ajo bën pjesë. Por tani vjen edhe momenti, në të cilin duhet të përzgjedhim mes më të mirëve dhe këtë gjë e kemi bërë me shumë kujdes, pasi nuk do donim ti mohonim mundësinë, askujt prej atyre elementëve që e meritojnë të jenë pjesë e ekipit dinamovit. Kjo është edhe në të mirë të klubit, pasi ata, të cilët do të përzgjidhen do të kenë mundësi të japin kontributin e tyre për të arritur një objektiv madhor, atë të ngjitjes së Dinamos në Superligë,- përfundon trajneri Eduard Zhupa. Mësohet se pas seleksionimit që përfundon sot, ditën e hënë do të bëhet edhe grumbullimi i lojtarëve, në mënyrë që stafi teknik të fillojë me organizimin e skuadrës para nisjes për në Maqedoni, ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Të gjithë futbollistët, të cilët do të përzgjidhen për të shkuar në shtetin fqinj, më parë do të nënshkruajnë edhe kontratat e reja me klubin. Kjo është menduar që të kryhet, për të mos pasur surpriza të pakëndshme pas kthimit, ku ndonjë lojtar mund të firmosë në orët e fundit me ndonjë skuadër tjetër. Këto masa do të merren, për shkak se koha për të gjetur zëvendësues nuk premton, pasi dinamovitët do të kthehen nga Struga, vetëm pak ditë para startit të kampionatit dhe deri atëherë mund të mos ketë në qarkullim lojtarë të tjerë cilësorë.
Braziliani De Taula Nga burime brenda klubit mësohet se për brazilian De Taula është marrë konfirmimi nga ana e presidencës, që ai të jetë pjesë e Dinamos vitin e ardhshëm. Sulmuesi pritet të ketë mbërritur sot, në orët e para të mëngjesit në kryeqytet, pasi deri ditën e djeshme ka qëndruar në Greqi. Mendohet se pas kryerjes së procedurave të nevojshme dhe nënshkrimit të kontratës, braziliani i ardhshëm i bluve, ditën e hënë, do të jetë gati të dalë në stërvitje me skuadrën e tij të re.