E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolt, i artë në 200 metra

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 15:54

Usain Bolt fitoi medaljen e artë në garën finale në 200 metra në Kampionatin botëror të atletikës në Daegu të shtunën.

Ai kompensoi nisjen e gabuar në garën finale në 100 metra duke bërë paraqitje të shkëlqyeshme në finalen e garës në 200 metra.

Bolt, vrapoi kohën e tij të tretë më të mirë në karrierë duke lënë pas tij ankthin e diskualifikiminit nga gara në 100 metra më herët gjatë kësaj jave.

Bolt shpërtheu që nga nisja dhe fitoi duke regjistruar kohë prej 19.40 sekondash. Amerikani Walter Dix mori medaljen e argjendtë me kohë 19.70 sekonda para francezit Christophe Lemaitre i cili arriti kohën e tij më të mirë në karrierë prej 19.80 sekonda për medaljen e bronztë.

“Kam bërë një gabim por jam kthyer për ti treguar botës se jam ende më i miri” tha Bolt.

“Nuk jam legjendë, ende. Jam rrugës për tu bërë një i tillë por më duhet të shkoj në Londër dhe të shpërthej mendjen e njerëzve, të shkoj në Olimpiadë dhe të bëjë diçka të jashtëzakonshme” përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›